Aktivitete të shumta, koloni arti, shfaqje filmi, balet- kështu u shënua Dita e Fëmijëve në Prishtinë

Dje, më 1 qershor 2025, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u festua me aktivitete të shumta në Prishtinë. “Qendra e ngjarjeve ishte Sheshi “Zahir Pajaziti”, ku nga ora 11:00 deri në 16:30 u zhvilluan koncerte, vallëzime dhe shfaqje baleti, duke krijuar një atmosferë festive për fëmijët dhe familjet e tyre”, bëri të ditur drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

Në Sheshin “Skënderbeu” filloi paradë e fëmijëve, e cila u shoqërua me shpërndarje fletushkash edukative nga Policia e Kosovës, duke promovuar sigurinë dhe të drejtat e fëmijëve. Po ashtu, aktivitete të ngjashme u zhvilluan në sheshet “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”.

Kolonia e Parë e Artit për Fëmijë dhe të Rinj

Gjatë ditë u organizua edhe Kolonia e Parë të Artit për Fëmijë dhe të Rinj e organizuar nga Fondacioni “Akili” në Lagjen e Artistëve.

“Kjo ngjarje mblodhi së bashku fëmijë dhe të rinj nga e gjithë Kosova për një ditë të mbushur me krijimtari, art vizual dhe bashkëpunim kulturor”, tha Halimi.

“Bashkë me nënën e Akilit, Safa Boja-Dashevci një grua e jashtëzakonshme që me përkushtimin e saj, na frymëzon të gjithëve u ndamë mirënjohje artistëve të rinj”, shtoi drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi.

Halimi: Arti dhe kultura kanë rëndësi të jashtëzakonshme në parandalimin e bullizmit

Aktivitetet e planifikuara vazhduan me transmetimin e filmit “Ciklik”, i cili trajton temën e bullizmit dhe ndikimin e tij te të rinjtë, ku u zhvillua edhe një diskutim i hapur me fëmijët dhe panelistët e ftuar.

Gjatë këtij diskutimi u ndanë mendime dhe përvoja mbi mënyrat e mundshme për të parandaluar bullizmin dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët dhe të rinjtë.

“Aktivitetet artistike dhe kulturore jo vetëm që ndihmojnë në zhvillimin e shprehjes së lirë dhe kreativitetit tek të rinjtë, por gjithashtu ofrojnë një hapësirë të veçantë për të folur hapur për përjetimet e tyre dhe për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në mirëkuptim dhe respekt”, pohoi Sibel Halimi.

Sipas saj do të ketë vazhdimisht angazhim të Drejtorisë së Kulturës për të mbështetur çdo iniciativë që i jep zë temave të rëndësishme për të rinjtë dhe që e përdor artin si një mjet për të adresuar çështje sociale të ndjeshme, siç është bullizmi. “Ne besojmë fuqimisht se arti ka fuqinë të ngjallë empati, të rrisë ndërgjegjësimin dhe të frymëzojë ndryshim pozitiv në shoqëri”, shtoi Halimi.

Shfaqje baleti që trajton në mënyrë të jashtëzakonshme përditshmërinë tonë

Mbrëmja ishte e rezervuar për një shfaqje baleti që trajton në mënyrë të jashtëzakonshme përditshmërinë tonë.

Shfaqja “Transformim”, me koreografi nga Driton Sh Saqipi dhe organizuar nga shkolla Prenk Jakova, ishte një përvojë artistike e paharrueshme. Ky spektakël unik bashkoi elegancën, pasionin dhe përkushtimin, duke sjellë në skenë një performancë magjepsëse.

Me çdo lëvizje, balerinët përcollën emocione të thella dhe mesazhe frymëzuese, duke e bërë këtë shfaqje një moment të veçantë për artdashësit.

ObserverKult


Lexo edhe:

“AJO QË MBETET KUR IKIM”, POEZI NGA SIBEL HALIMI