
Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Visar Zhiti.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-Vështirë ta kem të qartë si dhe pse… Por duhet të ketë qenë i bukur dhe marramendës. Ndoshta nisi me rrëfimet e tim eti, përrallat, ai tregonte shkëlqyer. Pastaj erdhën dy Hamlet në fëmininë time, ai i Shekspirit, i tragjedisë së famshme, që ma lexonte me zë vëllai im më i madh dhe që qaja fshehurazi, se po të më shikonte, nuk do pranoja ta vazhdonte leximin me mua, do ikja, ndoshta dhe ai mbase bënte sikur nuk m’i shihte lotët, prandaj, dhe Hamleti tjetër ishte ai i fëmijëve, “Pinoku” që duhej të vinte më përpara. Dhe kështu u krijua për mua si një dukur “orteku letrar”, nëse mund ta themi.
Kur ratë në “grackën” e saj?
-S’e di, nuk gjej kohë të caktuar, ndoshta atë tregova, do të ketë ndodhur pa e kuptuar si një mrekulli. Nisa të shkruaj që nxënës. Poezinë e parë ma botuan në një revistë të rëndësishme letrare, që kur isha gjimnazist në vitin e parë. Ma kishin ndryshuar shumë, përveç emrit tim. Ishte një gëzim i dëshpëruar. Mbase kjo ishte “gracka” vërtet…
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Asnjëherë. Unë u rrita nën diktaturë, kur sundonte Realizmi Socialist në letërsi dhe e caktonte Partia, shteti se cilët duhej të ishin shkrimtarë dhe cili jo. Mua më ra fati të bëja pjesë në ata që s’duhej të ishin dhe më burgosën, por kam shkruar dhe në burg fshehurazi. Vazhdimisht, mendoj se kur ndjehesh shkrimtar, profesionist, atëhere je më pak. Dhe shkrimtar ose je ose nuk je. Vepra bën shkrimtarin siç bën shkrimtari veprën.
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
-Vetes jo, por më kanë pyetur herë pas here dhe jam përgjigjur jo njëlloj. Sot më pëlqen të veçoj këtë: shkruaj që të dal herë pas herë nga varri…
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Nuk duhet qenë si të tjerët, ndryshe s’ka pse të vish në botën e letrave. Të gjitha vendet janë të zëna, përveç tëndit, që nuk ta tregon kush dhe as nuk duket. Madje vetëm pengohesh. Po gjersa je një njeri i veçantë, duhet të sjellësh veçantinë tënde. Rrugëtimi im jashtë vetes, por më shumë brenda vetes kanë qenë e shkruara ime.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Jetën time. Jetoje fort! Kam arritur të mbërrij dhe në një varg të tillë në një poezi: Që loti yt të rrjedhë në faqen time. I besoj dhe kësaj detyre njerëzore deri në shenjtëri të shkrimtarit.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Prandaj vazhdon të shkruhet, për të pathënat. Ç’gjen të bukur dhe të vyer te librat e tjerë, është ajo që nuk ke thënë ti, të paktën jo ashtu. Dhe ndoshta s’mbetet asgjë pa thënë në këtë botë, por secili e sjell ndryshe, herë si psherëtimë, herë si këngë, si urtësi, si absurd, si ulërimë, si moskuptim, si heshtje, si buzëqeshje, si ecje, si lamtumirë, si urrejtja, etj, etj, patjetër nga dashuria, ndryshe s’ka kuptim vërtet.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-Po, është muza, frymëzimi deri në çmenduri… Po duhet puna patjetër ashtu siç e thoni ju kaq bukur si “përvuajtni e parreshtur”.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
-Sistematik jo, gjithmonë kam patur punë të tjera të mbijetoj, s’kam qenë asnjëherë me profesionin e shkrimtarit. E fillova si mësues fshati, pastaj i burgosur politk, punëtor krahu, gazetar në opozitë, deputet, diplomat, etj, por kam shkruar vazhdimisht. Brenda vetes kam patur më të rëndësishme poetin, shkrimtarin dhe ka patur ditë rresht që mund të kem shkruar dhe 10-12 orë pa ndërprerje dhe mund të ketë patur javë pa shkruar. Më mirë të mos shkruash, se sa të shkruash keq. Por dhe të shkruash keq mbase është më mirë se të mos shkruash. Duhet t’u gjesh kohën gjërave. Që të arrish fitoren, tënde si shkrimtar, të jesh jashtë kohe a i gjithkohshëm…
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Ju thashë që shkrimtar s’kam qenë ndonjëherë, të shkruaj, po, gjithmonë, kam dashur dhe dua dhe nëse kjo më ka bërë shkrimtar përballë jush, lexuesit, letërsisë, jam i lumtuar në dhimbjen time. Si një vezullim plage…
ObserverKult
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: FERRI NUK ZBUKUROHET! ASKUSH NUK KA TË DREJTË TA BËJË KËTË PËR ATA QË ISHIN NË FERR…






