
Në mbrëmjen e fundit të edicionit të 12-të të “DEA Open Air”, një kupë ishte për Margarita Xhepën. Emri i saj, i ngjizur me vetë historinë e artit skenik shqiptar, u ngjit në skenë jo për të marrë një tjetër trofe, por për t’u përkujtuar me një ndjenjë që tejkalon ceremoninë: mall, peng dhe falënderim.
Në intervistën për emisionin “Odeon” në Syri Tv, drejtori i festivalit, Edmond Topi, ndau emocionet e forta të atij çasti.
– Një moment shumë emocionues, të cilin do ta veçoja si të tillë, ishte nata finale dhe momenti kur ju, së bashku me Ndriçim Xhepën, u ngjitët në skenën e projektuar për të prezantuar produksionet filmike të “DEA Open Air”. Nderuat aktoren, mjeshtren e madhe Margarita Xhepa, me një homazh, duke i dedikuar të gjithë këtë edicion asaj, në një shenjë falënderimi të thellë për atë që ka bërë për kinemanë shqiptare dhe për publikun. Si u konceptua ky nderim, zoti Topi, dhe si u përjetua momenti kur Ndriçim Xhepa e tërhoqi çmimin dhe tha se “kupa do të shkonte në shtëpinë e saj”?
Edmond Topi: Është një traditë ndërkohë që “DEA” ka çmimin e Mirënjohjes ose të Karrierës dhe çmimin Homazh. Margarita dhe Tinka e kanë marrë përpara disa vitesh çmimin e Mirënjohjes në Sarandë. Ajo e kishte një kupë të DEA-s, pasi përveçse ka qenë një aktore shumë e mirë, një mike shumë e mirë, ka qenë edhe një mike permanente e festivalit. Ajo ka qenë pothuajse në të gjitha vitet e festivalit. Përveç kësaj, unë e kisha atë aktore në filmin tim të fundit. Është një nga pengjet që e thashë atë natë: ajo nuk arriti ta shihte, sepse kështu zgjaten historitë tona, si pëlhura e Penelopës. Më vjen keq që nuk arriti ta shihte. Edhe për këtë arsye, ne i dhamë çmimin Homazh. Ishte emocionuese, siç ju thashë, ngaqë kisha edhe pengun. Ishte goxha emocionuese kur Ndriçimi erdhi. Ne jemi miq të vjetër dhe mori çmimin e saj. Nuk do të doja kurrë ta ndaja atë çmim… por jeta është e pamëshirshme. Kupa që mori Ndriçim Xhepa ishte një gjest i heshtur që kërkonte të vendoste diçka në vend. Dhe, siç tha ai në skenë, “kupa do të shkojë në shtëpinë e saj”.
Videon mund ta lexoni duke klikuar më poshtë:
ObserverKult
Lexo edhe:
TESTAMENTI I BETOVENIT: SA TË PADREJTË QË JENI KUNDREJT MEJE!!!






