
PostFestival
Nga: Agron Gërguri
Festivali multikulturor EtnoFest sivjeti përjetoj edicionin e 15. Duke qenë pjesëmarrës aktiv thuaja në të gjitha edicionet duke e përcjell përmbajtjen, investimet në infrastrukturë, rriten, shumëanshmërinë, shumëdimensionalitetin e trajtimit të ekstraktit kulturor të trashëgimisë etnike vijë deri te konstatimi se ky Festival është bërë pikë referimi për kulturën kombëtare dhe se në ambientet e fshatit Kukaj ku tashmë është ndërtuar infrastrukturë dhe hapësirë e mjaftueshme për të gjitha artet dhe si i tillë imponohet si vend ku mund (lexo duhet) të bartet një pjesë e Muzeut të trashëgimisë kulturore të Kosovës në mos i tëri, e pse jo në Kukaj të vendoset edhe ndonjë institucion që specifikisht ka të bëjë me trashëgimin i kulturës e ku do ringjalleshin disa zeje të vjetra që po harrohen.
Etno fshati Kukaj dhe etno kompleksi do duhej të jenë në mbështetje dhe mbrojtje të shtetit si identitet kulturor
Kukaj si fshat kulturor i cili tashmë ka identitet përfaqësues e i cili komunikon natyrshëm e domethënshëm me Artanën në aurën e përkatësisë kulturore për mburrje. Pra për fshatin Kukaj dhe festivalin si argument i fuqishëm brenda tij ka ardhur koha që ta marrinë në përkujdesje dora e shtetit.
Kujdes i përhershëm nuk do duhej të kushtëzohej apo mbetej peng i marrëdhënieve personale që kanë titullarët shtetëror (raporti pushtet lokal – qendror) përkundrazi EtnoFestin do duhej ta trajtojnë si moment uniteti rreth vlerës së trashëgimisë kulturës dhe artit si identitet dhe si të tillë ta trajtojnë institucionalisht e jo asesi që EtnoFestin ta përjetojnë si arenë dëshmimi të kundërshtive apo matjes së fuqisë politike, sepse kultura është unike dhe vetëm si e tillë është fuqi politike e të gjithëve. Nuk është e shëndetshme të thuhet: A paska shku ai në EtnoFest, unë nuk shkoj për të numëruar kështu kush me kë është në dëmë të zhvillimit të kulturës si shtylla themeltare e identitet të shtetit.
EtnoFesti, ndër vite ka dëshmuar se është me të gjithë ata që investojnë në identitet kulturor dhe në respekt të këtij objektivi do duhej të trajtohej ashtu siç tashmë është një nga pikat e referimit të ngritjes kulturore kombëtare dhe shtetërore aq më tepër kur nga viti në vit pjesëmarrja e artistëve kombëtar e ndërkombëtar po gjenë shprehjen e komunikimit e ndërveprimit bashkëpunues midis popujve në të mirë të marrëdhënieve të shëndetshme njerëzore kulturore dhe artistike siç ndodhë në EtnoFest.
Nëse politika kosovare ende nuk ka thënë decidivisht se cilat janë çështjet rreth të cilave uniteti është domosdoshmëri dhe se të njëjtat nuk mund të janë çështje të lobimit elektoral, porse janë obligim preokupues i cilitdo fitues të zgjedhjeve që të investoj në këtë identitet (lexo unitet) ku kultura si shtylla identitare do të jetë prioritetet i asaj liste të munguar të çështjeve unike ku nuk ka pozitë dhe opozitë. Në këtë kuadër festivali EtnoFest si një medium specifik me përmbajtje etnike e ku nuk mungon as trajtimi modern i vlerave të etnosit shprehur përmes këngës, vallëzimit, instrumentimit, skulpturës, pikturës, artizanateve, vlerës së fjalës, anekdotës, poezisë, ushqimit tradicional e deri te Teatri si art sublim që përmbledh të gjitha dhe i formëson në thënie artistike është rritur aq sa të bëhet institucion i rëndësisë prioritare përtej kulturure. Duke qenë i tillë EtnoFesti do duhej të vendosej në listë identitare (lexo prioritare) me prefiks shtetnor.
EtnoFesti duhet shtrirë në kohë dhe të merret në përkujdesje të shtetit
Tashmë në etno fshatin Kukaj është ndërtuar infrastrukturë e cila përballon numër të madhë të pjesëmarrësve dhe vizitorëve andaj edhe festivali duhet të rritet në shtrirje kohore nëse jo gjatë gjithë verës atëherë gjatë një muaji kohë që do të mjaftonte të finalizohej ndonjë projekt nga fusha e teatrit, muzikës, arteve figurative apo të ndërtohej ndonjë aneks sipas arkitekturës së vjetër që t’i shtohej etnokompleksit të cilin deri më tash e ka ideuar, ndërtuar e mirëmbajtur Fadil Hysaj me Sheqerie Buqaj e Ilaz Hysaj pa e lënë anash kontributin mbështetës të Iliriana e Arta Arifit, Bislim Muçajt, Kushtrim Kastratit … banorëve të fshatit, familja Latifi ( Arsim Latifi) dhe familja Xhemahiti ( Xhelil Xhemahiti) miqëve si Gani Vllahna me familje dhe të gjithë atyre që me pjesëmarrjen e tyre i kanë dhënë kuptim kësaj ndërmarrje kulturore unike duke e mirëkuptuar idenë dhe vizionin e Fadil Hysajt. Mbase në këtë fshat mund të zhvillohet edhe turizimi kulturor dhe i agrokulturës, kur dihet se përveç etnokompleksit tashmë janë në finalizim të punëve të resortit për puntori kreative i motrave Ilirijana dhe Arta Arifi si dhe kështjella “Pandora”.
Edicioni i 15 -të i EtnoFestit e argumenton rritjen e festivalit deri në përmasën që do duhej t’i kaloj në obligim direkt shtetit dhe kjo duhet të ndodh jo për të përmbush apetite megalomane por për ta ngre kulturën në piedestalin që ajo ka për karakterin e shtetit aq më tepër për ekzistencën e tij identitare.
Faktet flasin me ngulm. Në edicionin e sivjem të 15-të të EtnoFestit defiluan programe muzikore, shfaqje teatrore, ekspozita, instalacione, debate tematike ku trajtoheshin aspekte të identitetit kulturor: gjuha, doket, zakonet, kujtesa historike, traumat e luftës, pastaj rite të vjetra, performanca muzikore moderne, koncert recitale, poezi, skulptura e piktura me rrëfime dramatike dhe kujtesë historike me pjesëmarrjen aktive të mbi 350 artistëve.
Program i pasur, arte të ndryshme dhe debate
Programi i realizuar i edicionit të 15-të, të EtnoFestit është argument i rëndësishëm për identifikimin e ekstraktit të vlerës dhe zhvillimit të kulturës si bazë për një sistem vlerash që duhet konsoliduar.
Sivjet tema e edicionit ka qenë Identiteti si identifikim dhe kërkim për gjetjen e përkatësisë duke e shkoqitur, analizuar, e shqyrtuar këtë temë përmes 73 programeve artistike, shfaqjeve teatrore, performancave, instalacioneve, debateve, ekspozitave të shumta, koncerteve të përzgjedhura me kritere të ashpra artistike dhe tematikisht përmbajtësore.
Në këtë kuadër vizitorët dhe spektatorët kanë pasur mundësi unike të komunikojnë në formë aktive në trajtim të temës bosht përmes 13 ekspozitave: me artistë të pikturës, fotografisë, skulpturës, vizatimit, dizajnit realizuar nga artistët: Blerta Syla Surroi, Arber Sahiti, Ermira Belegu Deçani, Ibrahim Beqiri, Malda Susuri, Sabri Behramaj, Ismet Azizi, Mjellma Goranci, Veli Blakçori si dhe disa ekspozita kolektive me mbi 15 artistë të tjerë.
Fryma e traditës si bërthamë e identitetit është prezantuar përmes 13 Etno performancave me këngë, valle dhe ritual tradicional të Ansambleve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Kenia, Spanja.
Në pjesën e programit teatror janë dhënë 10 (dhjetë) shfaqje përmbajtësisht dhe artistikisht të arrira me tema të ndryshme identitare: për dhembjen, gruan, fenë, teatrin dhe jetën të trajtuara prej artistëve teatror nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, me regjisorë e aktorë të njohur si Altin Basha, Ilir Bokshi, Fatos Berisha, Erson Zymberaj, Mentor Zymberaj, Naser Shatrolli, Ard Islami, Adrian Morina, Lena Kryeziu, Butrint Lumi, Kushtrim Sheremeti, Vefi Redhi, Semira Latifi, Sara Bajrami, Sabina Memishi etj.
Atraksion i vërtetë dhe ngjarje e veçantë kulturore ishte performanca danc teater “Sarakassi Dancer” – Sarakasi Trust nga Kenia si dhe ekspozita e kostumeve në temën “Krusha ime” e artistes Mercedes Pereira nga Spanja.
Në programin muzikor garues u prezantuan: Gjejlane Taci, Vjollca Robelli Mripa, artisti Liburn Jupolli u prezantua me “Tales of Scapes” një trajtim muzikor shpërthyes i motivuar nga etnosi e i trajtuar me sens modern. Instalacioni me fotografi i Malda Susurit “Të kam në mendje” bashkë me promovimin dhe debatin për librin e Blerina Gaxha Rugovës “Memorie lufte” ishte shprehje e thellë e emocioneve të ndrydhura.
Gjatë 10 ditë e netëve të festivalit janë mbajtur mbi 17 koncerte muzikore në kuadër të programit argëtues “Etno Neja “. Janë realizuar mbi 10 (dhjetë) instalacione, punëtori dhe demonstrime tradicionale si: “pjekja e bukës pogaqe” , “flisë” dhe ushqimeve tjera tradicionale.
Në debatet shterruese për aspekte të identitetit kontribut domethënës dhanë Klara Shehu, profesoreshë në Unversitetin e Sorbonës i cila ishte edhe kryesuese e jurisë së festivalit, Skender Boshtrakaj, skulptor, anëtar i jurisë, Agron Gërguri dramaturg- regjisor, anëtar i jurisë, Salih Zogiani, mbledhës i folklorit dhe pjesëmarrës tjerë në debate nga Sanxhaku i Malit të Zi, etj. Debatet i moderoj Fadil Hysaj me asistimin e Sheqerie Buqaj, drejtues të festivalit.
Frekuencat e energjisë pozitive
EtnoFesti përveçse shikohet edhe të provokon të shohësh përtej asaj që shikon. Aty jetohet e përjetohet përtej programeve zyrtare të përzgjedhura, krejt spontanisht, takime e biseda kreative midis krijuesëve të artit dhe mërgimtarëve si vlerë e shtuar e festivalit. Frekuenca pozitiviteti emetojnë vullnetarët të cilët përveçse shërbejnë me përkushtim i japin edhe energji dhe sharmë festivalit.
Fadil Hysaj dhe përkrahja e idesë së tij
Nuk kemi nevojë të brohorasim për mendjen e ndritur e kreativisht të frytshme të Fadil Hysajt i cili tashmë është i verifikuar si i tillë, por çështja është se ka ardh koha, atë që Fadili ka ideuar e jetësuar përmes festivalit EtnoFest, ta vendosim fshatin Kukaj pikëtakim në harten e kulturës të Kosovës si referencë kombëtare. Andaj shteti do duhej të përkrah këtë ndërmarrje e jo t’ia shkurtoj fondet siç bëri sivjet për t’ua shtuar disa manifestimeve tjera të cilat as për s’afërmi nuk prekin diemnsionet kulturore të cilat i afirmon EtnoFesti.
Problematizimi i biletave hyrëse
Në tendencen për të gjetur “dhjam në plesht” dikush e tematizojë pa të drejtë çështjen e hyrjes në etnokompleks me bileta. Me pesë euro hyrje secili ka mund të përcjellë një shfaqje teatrore, një performancë poetiko muzikore një koncert, së paku tre programe artistike dhe të vizitoj 5 ekspozita përfshi këtu edhe muzeun me artefakte të vjetra. Aq më tepër kur organizatori ka qenë dorëlirë për ata që nuk kanë pasur mundësi të paguajnë biletë dhe u ka siguruar parking falas!
Kjo nuk do të thotë se festivali nuk ka hapësirë për zhvillim në të gjitha dimensionet porse duke ditur rrjedhën e secilit edicion vërehet se ky është një proces i cili për çdo vjet avanson si në aspektin përmbajtësor poaq edhe organizativ.
Mesazhi i EtnoFestit
Ti themi PO kulturës me angazhim konkret.
Ti themi po kulturës, duke e mbështetur me përkushtim e dashuri, Etno Festi është një shembull dhe argument e fshati Kukaj dëshmi se kemi identitet kulturor.
ObserverKult









———————————-
Lexo edhe:






