
Fekton nji thikë vetëtime;
volinës së qiellit i këputet nji tel;
zogjtë e natës e humbin paqën;
nji pishë bregdeti, luhatet, sheh, si i afrohet bregut
nji anije e bardhë me vela që ka marrë flakë;
era natake e gushtit, i ve nji zjarr plazhit,
dhe asaj pishe që asht n’përgjërim;
tutje ranës, ulun mbi nji gur,
zemra e nji plaku leckaman,
bymehet, bie n’dhimbje t’pamatë,
e bahet violinë –
me tinguj t’përvajshëm, i ve n’akord
natën, paqën, detin, pishën,
anijen e bardhë me vela,
dhe nji turmë yjesh…
që zbresin, zbresin përposhtë,
bahen pëllumba…
dhe nisin me u ushqye
me mishin e muziktë t’atij plaku
që asht ba dëshirë… dëshirë…
e… Dritë… e Zotit…
ObserverKult
Lexo edhe:






