Akademik Sabri Hamiti merr titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës

Universiteti i Tiranës i dha dje, akademikut prof. dr. Sabri Hamiti, titullin “Doctor Honoris Causa”.

Ky titull i lartë u dha me motivacionin: “Për studiuesin, dijetarin, kritikun, poetin, dramaturgun, prozatorin, botuesin, pedagogun, politikanin që shënjon me veprën e tij madhore kulturën shqiptare e shqipe me gjerësinë e temave, thellësinë e mendimit dhe të analizës, intuitën e rrallë kritike, stilin shkrimor unik, dijen e gjerë dhe poliedrike, përkushtimin tërësor dhe përkujdesjen e skajshme ndaj shkrimit krijues e interpretues duke e shndërruar në autorin dhe autoritetin referencial të letërsisë, kulturës dhe botës shqiptare”.

Akademiku, në fjalën e tij, u shpreh se ishte i prekur thellë me nderimin që i bëri Universiteti i Tiranës, si institucioni më i lartë i studimeve dhe kupola e studimeve albanologjike.

“Rasti që të flas në këtë ceremoni para jush, ligjërimi im vetvetiu po e merr trajtën e një vetërrëfimi, porse ky rrëfim është i thënë me mendje të hapur e me zemër të hapur për nderimin e madh që më bëni dhe gëzimin që e prekë kufirin e lumturisë. Një shkrim i dorës në letrën e bardhë, me dorën e djathtë”, u shpreh Sabri Hamiti.

Në fjalën e tij ai përmendi Sami Frashërin, Mit’hat Frashërin, Eqrem Çabejn, Aleks Budën, Lasgush Poradecin, At Zef Pllumin e Ibrahim Rugovën.

Poet, shkrimtar e studiues, Sabri Hamiti është një ndër autorët më përfaqësues të letërsisë e kulturës shqiptare. Kontributi i tij shtrihet në dhjetëra vepra letrare dhe studimore, ndërkohë që ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës në shtatë legjislatura (në vitet 1992-2017), nënkryetar i Kuvendit dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008.

ObserverKult


Lexo edhe:

BORGES: GJËRAT MË TË MIRA TË JETËS NDODHIN KUR MË SË PAKU I PRET!