Gili Hoxhaj: Ata që e jetuan jetën para nesh…

Ata që e jetuan jetën para nesh
kanë gjithmonë një mënyrë
për të na rrëfyer
të shkuarën e tyre
se si
dashuria peshonte
më rëndë në zemër
dhe më pak mbi fjalët
Si bota ishte më e madhe
e malli dhe më i madh
shtëpia më e vogël
për aq shumë njerëz,
por që ruante vend dhe për të tjerë
Kur ata flasin, mallëngjehemi
veç me mënyrën e rrëfimit
për të jetuar kandshëm
momentin
kur bota ndalej në një filxhan kafeje
ku dikush besonte se di të
lexojë rrugët që e presin tjetrin
Atëbotë
Lajmet përcilleshin ngadalë
dhe deri kur vinin,
më e keqja kishte kaluar
Aty dashuria mbillej
dhe rritej në shtëpi
dhe s’jepej ‘hua’
e fotografitë ishin veç kujtime
që s’ishte e thënë t’i pëlqenin dikujt
Jeta matej me veprime
të vogla
ku secili kishte aq
sa kishte për t’i dhënë tjetrit
Ata që jetuan jetën para nesh
dhe e jetojnë pjesën e mbetur me ne
kur zhyten në kujtime
sikur i ecin me këmbë
e jo mendje shekujt pas nesh
E vështirë është rruga e kthimit
këtu ku shkruajmë më shumë
e flasim më pak, ne, me njëri-tjetrin.

ObserverKult


Lexo edhe:

KENNETH PATCHEN: “AJO QË DOJA TË DIJA ËSHTË”