Promovohet monografia për Xhaminë e Hadumit në Gjakovë

Në kuadër të 430-vjetorit të ndërtimit dhe 20-vjetorit të restaurimit

Nga: Blerim Valla

Në Gjakovë në organizim të Shoqatës së Intelektalëve “Jakova” të Gjakovës, në kuadër të 430-vjetorit të ndërtimit dhe 20-vjetorit të restaurimit u promovua një libër i rrallë dhe me shumë vlera “Monografi e Xhamisë së Sylejman Hadum Agës” e autorit Msc. Agron Muçakut.
Kjo monografi flet me dokumente e fakte të rralla dhe fotografi origjinale për xhaminë e njohur në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, Xhamisë së Hadumit në Gjakovë.
Duke qenë se ky vit shënon vitin jubilar 430-vjetorin e ndërtimit të Xhamisë së Hadum Agës, pra këtu e 430 vite më parë, prej së cilës nisi edhe fillimi i ndërtimit të qytetit të Gjakovës, si dhe ditën kur u bë përurimi i restaurimit të Xhamisë së Hadumit në vitin 2005, pasi kjo xhami simbol i Gjakovës, ishte dëmtuar rëndë gjatë luftës së vitit 1999 nga granatimet me minahedhës nga forcat policore e ushtarake serbo-malazeze!

Për këtë monografi folën disa veta. I pari foli Ruzhdi Sefa, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, nga Gjakova, në emër të botuesit të monografisë, i cili mes tjerash tha: “Ky botim është një ftesë për të parë Xhaminë e Hadumit si themel të qytetit, si udhërrëfyes për të ardhmen, si simbol të krenarisë sonë, si simbol i dijes, tolerancës, kulturës dhe qëndresës.
Në këtë monografi për herë të parë botohen 20 dokumente origjinale nga Arkivi Osman i Turqisë. Kjo monografi e tregon qartë: Xhamia e Hadumit është një pasuri universale, një pikë referimi që prek edhe botën akademike dhe kulturore ndërkombëtare.
Autori e vendos Xhaminë e Hadumit si themel të Gjakovës, si zemrën nga e cila lindi Çarshia e Madhe, dhe i tërë qyteti i Gjakovës “.

Recensenti i parë i monografisë arqitekti Xhelal Hoxha, para të pranishmëve deklaroi se: “Xhamia e Hadumit është një objekt arkitektonik që si rrallë ndonjë objekt tjetër i nën qiellit tonë, ka rëndësi në të dy aspektet e vlerave të trashëgimisë. Si objekt i rëndësisë së trashëgimisë arkitektonike dhe rëndësisë bazike të lidhshmërisë së objektit me historikun e lindjes dhe zhvillimit të një tërësie urbane, me rëndësi të pa kontestueshme për zhvillimet sociale, kulturore, emancipuese dhe embriogjene për shtetformësi të trevave shqiptare – lindjes dhe zhvillimit të Gjakovës.
Autori në këtë monografi për objektin e xhamisë së Hadum Agës, në radhitjen përmbajtjesore të sajë, në mënyrë fakto grafike ka radhitur forcën e argumentit të evidentuar historik dhe faktografin e arti faktit dhe kreativitetin e ekzistencës hapësinore të një vepre madhështore arkitektonike, në përmasat krahasimore të vendit dhe kohës së ndërtimit të sajë.
Xhamija e Hadum Agës, si objekt arkitektonik në përmbushjen e 430 vjetorit të përfundimit të ndërtimit të sajë, është një raritet në ruajtjen e origjinalitetit të fizikës së ndërtimit të kohës dhe teknikave ndërtimore” tha z. Hoxha.

Ndërsa recensenti i dytë i monografisë historiani Dr. Alban Dobruna mes trjerash theksoi:
” Libri i Agron Muçakut, për “Xhaminë e Hadumit” prezanton pasurinë historike dhe kulturore të Gjakovës siç është Xhamia e Hadumit, pasi ajo është jo vetëm një vend lutjeje, por simbol i trashëgimisë historike dhe arkitekturore në Gjakovë dhe Kosovë. Ajo shënon fillimin e jetës urbane në atë pjesë të qytetit, tregtia, zanatet, institucionet rreth saj u zhvilluan pas ndërtimit të saj.
Kurse në fund foli autori i monografisë për Xhaminë e Hadumit, Mr.sc. Agron Muçaku, i cili fillimisht falenderoi gjitha ata që e përkrahën dhe e ndihmuan për botimin e kësaj monografie. Autori në fjalën e tij mes tjerash tha: “Jemi mbledhur për të nderuar një monument, një histori dhe një themel: Xhaminë e Hadumit, zemrën e qytetit tonë.
Sykejman Hadum Aga që ishte shërbyes i Sulltanit nuk e harroi vendlindjen e tij duke ndërtuar Xhaminë e Hadumit, gjithë kompleksin përreth saj – dhe më gjerë – duke u bërë faktikisht themeltari i qytetit urban të Gjakovës.
Qyteti Gjakovës i detyrohet këtij njeriu nderim dhe mirënjohje të përhershme.

Xhamia e Hadumit është vlerë në shumë dimensione:
– Historike, sepse lidhet me vetë aktin e themelimit të Gjakovës;
– Arkitekturore e artistike, për mjeshtërinë e gurit dhe kupolën monumentale;
– Shkencore, si objekt studimi për fusha të ndryshme;
– Shoqërore e shpirtërore, për rolin e saj në jetën e qytetarëve ndër shekuj;
– Kulturore e turistike, si një nga monumentet më të vizituara të trevave shqiptare.

Ky botim na kujton se ruajtja e Xhamisë së Hadumit do të thotë ruajtje e identitetit, rrënjëve dhe memories sonë kolektive” tha A. Muçaku në fund.

Përndryshe Xhamia e Hadumit është dëshmi e gjallë afër pesë shekujsh e historisë urbane, kulturore, fetare dhe arkitekturore të Gjakovës. Shkatërrimi i saj gjatë vitit 1999 të luftës nuk ishte vetëm shkatërrim i një objekti fetar por përpjekje për të zhdukur identitetin e qytetit të Gjakovës. Ishte një urbicid që ndodhi në zemër të Evropës!
Historianët e njohur si: Dr. Fejaz Drançolli e Dr. Masar Rizvanolli kanë dokumentuar dhe kanë sqaruar se Gjakova përmendet që në vitin 1348, si pjesë e nahijes së Altun-Ihlasit, me qendër në Junik.
Nga kjo kuptohet se me ndërtimin e Xhamisë së Hadumit dhe kompleksit përreth saj fillon Gjakova si qytet urban.
Ndërsa Prof. Andreas Ridlmajer, ekspert i historisë së Artit Islam dhe Drejtor i Qendrës Dokumentare të Artit Islam dhe Arkitekturës Islame pranë Universitetit të Harvardit në SHBA, ka deklaruar se “Xhamia e Hadumit është monument unik në të gjitha trojet shqiptare. Është i vetmi kompleks i këtij lloji që është ruajtur. Xhamia e Hadumit nuk është vetëm xhami, por është qendër kulturore. Pranë xhamisë gjendej biblioteka, e cila ishte më e madhe se vetë xhamia. Pranë bibliotekës gjendej mejtepi, ndërsa aty pranë Çarshia e Madhe me dhjetëra dyqane. I tërë kompleksi, pra, përbënte një qendër kulturore, edukative e fetare. Kompleksi ishte ndërtuar e zhvilluar nga vetë gjakovarët”!

Xhamia e Hadumit, është kurora e bukurisë së monumenteve të Gjakovës
E vendosur në mes të qytetit të vjetër të Gjakovës, Xhamia e Hadumit, e nisur gjatë shekullit të 16-të në kohën e Perandorisë Osmane, Xhamia e Hadumit, ashtu sikurse shumë xhami, ishte ndër objektet e para në zonë, për t’u populluar më pas rreth saj shtëpitë, dyqanet, zanatet dhe institucionet tjera. Xhamia u ndërtua në vitin 1952 nga Hadum Sylejman Efendia – i njohur si “Hadum Aga”, i cili në kohën e tij shërbeu si shërbëtorë personal i bashkëshortes së Sulltanit
Është e ndërtuar nga guri vullkanik, plotësisht rezistent ndaj kushteve atmosferike dhe tërmeteve.
Xhamia e Hadumit vizitohet nga mbi 20 mijë vizitorë në vit që vijnë nga mbarë bota.

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E NJË FOTOGRAFIE/ CEREMONIA E VARRIMIT TË ISMAIL QEMALIT