
Sonte lërmëni të fle
Të kaloj në anën tjetër më duhet
të gëlltis malet
dhe të mos shkruaj më poezi.
Me sy gjysmë-hapur dalloj
Letrën e verdhë të mureve spitalore
Dhe te kuqen e tulipaneve mbi tavolinë.
Jashtë dritares,
Mbretërojnë hije njerëzish dhe qiej të zinj
Kthej kokën nga ana tjetër
dhe aty je ti
Bota digjet ndër flakë
Bota e verbër
Tek mbyll sytë më fanitet
kërma e një dreri në asfalt
Imagjinoj tek i qasem pranë,
i vendos degë ulliri në brirët e tij.
Të gjorat kafshë ngrijnë,
para rrezikut
si unë para jetës.
Me zërin – drithërim’ të fola
Për Itakat e largëta që dashuroj
Jo më pak se qiejt e kaltër në sytë e tu.
Harroj që gjendem në varkë prej letre.
Kapluar nga një ankth pambarim
Të them që s’mund të kthehem
Nën ato re të zeza, që përpijnë qytetin mbarë.
Ti vetëm buzëqesh dhe thua se
nesër do t’bëjë kohë e mirë.
Por, shoh një far atje tej, si kull’ e Babelit
Gjersa rrëzohet dhe matanë tij,
Një kopsht zambakësh të bardhë,
Dhe bota e gjithë do të marrë fund atje.
Në pllaka guri,
në kopshtin e zambakëve të bardhë.
ti më shikon me një palë sy të atillë
dhe…
por
pastaj je sërish i kësaj bote
Dhe unë tretem
në këtë wheatfield with crows.
ObserverKult
Lexo edhe:
DONIKA DABISHEVCI: POEMA E MUNGESËS / RIKONFIGURIMI I SUBJEKTIVITETIT PËRMES DASHURISË






