Ndue Dedaj: Poezi e ëndrrës së pakryer

ndue dedaj artistë
Ndue Dedaj


Nga Ndue Dedaj

“Gjithandej rrethohem nga ëndrra” është një varg i poetit Preng Maca, në vëllimin e tij të tetë poetik, me titullin aq të gjetur “Ëndrra në varkat prej letre”, pasi poezitë e tij ashtu lundrojnë si varka prej letre, si letra pa adresë, si frymë, si ndjenjë, sa spontane aq dhe meditative.

Është një rrugëtim i gjatë, shumë i gjatë poetik, mbigjysmëshekullor, ku metafora e ëndrrës asnjëherë nuk u mplak, por rinon në vargje si atëherë në fillimet, sa mund të thuash, siç e dëshmon dhe ky libër i ri, vetëm ëndrra është e pakryer.
Se si vjen ajo nuk mund ta shkoqisim në pak fjalë, por i themi lexuesit se assesi ajo nuk është më një ëndërr djaloshare, fluturake, idilike, por, përkundrazi, një ëndërr tronditëse që peshon rëndë në ndërgjegjën e njeriut:

“vonë më merr gjumi.
zgjohem i tmerruar, ëndrrat më çmendin!
shoh të njëjtën ëndërr, gjithë këto net të frikshme:
shoh Kainin… duke vrarë Abelin!”
(“Prag zanafille”)

Një tjetër optikë e pazakontë e ëndrrës haset në poezinë “Dilemë”, kushtuar poetit të ndjerë M. D., ndër më të ndjerat lirika që mund të lexosh si kushtim shpirtëror, endur përmes një meditimi hyjnor:

“a thue Je në gjumë,
mos po sheh një ëndërr të re?
apo ndoshta sapo u zgjove nga ëndrra
e nga qielli po na sheh?
apo ndoshta ti asnjëherë nuk fle?”


Ata që e kanë ndjekur poezinë e poetit në kohë vërejnë tashmë qartë stilin e tij të përvijuar e mirëmaturuar, mënyrën origjinale të konceptimit poetik, leksikun figurativ më të përdorshëm, temën e pashterrshme të dashurisë, prirjen kah urtësia filozofike, gërshëtuar me atë popullore të trevës nga vjen autori, përsiatjet e ndryshme jetësore, sociale etj.

Është një poezi që kumbon së brendshmi dhe së jashtmi, që kulmon në poezi si “Dimri”, që po e sjellim të plotë, si atë gotën e verës që mjafton për të kuptuar cilësinë e gjithë vozës.
E, përderisa është një ëndërr e pakryer, do të thotë që vazhdon…
Këto pak fjalë ishin si një grishje për lexuesin.
Autorit urime në poezi dhe në prozë.

8 janar 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

NDUE DEDAJ: GURI I CARANIT TË TIM ETI