
Dikush humbet në bursë, e dikush në kopështin e Edenit,
Tagrin të dy për ta paguar kanë.
Dikush vret Goliathë, e dikush Kimera,
Dikë tjetër pleshtat e hanë.
Jeta ka hone e të përpjeta të rënda.
Dikush heq në shpirt, e dikujt i zënë pritë,
Dikujt për shalësh i ikën jeta dhe ëndërrat,
Një dhimbje në brinjë dikujt i kall frikë.
Dikush, në fund të vetes Perëndinë e gjen,
Një tjetër ha me Zotin, por nuk arrin ta shohë,
Dikush ka në trup një heshtë, e dikush një gjemb,
Nga njëri rrjedh jetë, e nga tjetri kohë.
Dikush nga shkretëtira thërret me piskamë,
Dikë shkretëtira e thërret,
Armikun, që të gjithëve si mortja na shtang
E mbartim me vete veshur si xhaketë.
Dikush numëron yjet, e dikush kafshatat,
Dikush ka më shumë plagë se kalendari ditë,
Dikush vegjeton ulur mbi miliona,
Dikujt tjetër mjerimi i zë pritë.
Dikush dëgjon muzikë, e dikush qan hallet.
Një tjetër lëron tokën, prej shekujsh lënë djerrë.
Dikush lakmon kurorë prej ari të kulluar,
Tjetrit kryet ia qarkojnë me ferrë.
Dikush bën plane botën të pushtojë,
Një tjetër zgjohet herët, mbi sobë skuq dy vezë,
Tjetri rrëkëllen gota, dhimbjen të harrojë,
Diku, dikë tjetër përcjellin në varrezë.
Dikush ndërton ura, me diga zë lumenjtë,
Dikush dy çorapë s’arrin t’i bëjë bashkë.
Dikush ndez cigaren e fundit në paketë,
Dikush dëshpërimin e fsheh nën një maskë.
Dikush pret të nesërmen të bëhet më mirë,
Një tjetri Shpresa s’i gjendet në fjalor,
Dikush pret orarin, kafenë duke pirë,
Dikush edhe një ditë e shtyu me zor.
Dikush zgjohet me qejf dhe në ditët e hëna,
Dikujt pa ftuar i pëlqen të vijë,
Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes,
Thonë se u çmend, më mirë mos ta dijë.
Jeta ka hone e të përpjeta të rënda.
Dikë në pazar dy sy e hodhën çikë.
Ndërsa vitet ikin, jo siç na e ka ënda,
Një therje në brinjë befas na kall frikë.
© Marsel Lela për këtë poezi
1 shkurt 2026
ObserverKult
Lexo edhe:
Marsel Lela: Vargjet më të trishta që mund të shkruaj këtë ditë






