Bëhen bashkë Opera, Baleti dhe Ansambli “Shota”, MKRS themelon institucion të përbashkët

Ministria e Kulturës ka nisur procedurat për themelimin e institucionit të përbashkët të Operës, Baletit dhe Ansamblit Kombëtar “Shota”, siç parashihet me Ligjin për Artin dhe Kulturën.

Procesi fillon me hartimin e draft-statutit të institucionit të ri. Institucioni i ri parashihet të vendoset në objektin e Operës dhe Baletit, i cili planifikohet të ndërtohet prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, procesi i projektimit të këtij objekti është drejt përfundimit.

“Ne kemi nënshkruar kontratën për projektin ideor dhe kryesor të Teatrit të Operas dhe Baletit në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe sot kur po flasim ne jemi veçse në fund të punës së studiove projektuese për dorëzimin e këtij projekti që do të kushtoj afër 2.5 milion euro dhe që mund të themi lirisht që është bërë një punë e jashtëzakonshme e ekipeve të projektuesve”, ka thënë Bislim Bislimi.

Procesi ka nisur me një takim të mbajtur më 14 janar, ku Ministria ka mbledhur drejtuesit e tri institucioneve për të diskutuar krijimin e draft-statutit të institucionit të ri. Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, në takimin e parë janë ndarë detyrat për hartimin e draft-statutit, duke u bazuar në ligjin e ri për kulturë.

“Na kanë ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve do të thotë tri institucioneve për ta krijuar institucionin e ri me tri institucionet opera, baleti dhe ansambli kombëtar, kështu që kemi pas disa takime, kemi propozuar secili në bazë të ligjit të ri për kulturë”, tha ai.

“Po të gjitha ato janë kryer, do të thotë, detajet. Në 2026 këtë vit, shpresoj me pas edhe qeveri sa ma shpejtë edhe me proceduar tutje që me filluar objekti këtë vit”, deklaroi më tej Ferizi.

Ndërkohë, pritshmëria është e madhe që proceset e mëtejshme të avancojnë gjatë këtij viti./rtlive

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndarja nga jeta e Rezarta Reçit/ Mikesha me lot në sy rrëfen pengun e gazetares