
Bashkia e Pogradecit ka reaguar pas deklaratës së Marie Poradecit, të bijës së Lasgush Poradecit, se ajo nuk ishte e ftuar në një ceremoni në Graz të Austrisë, ku do të vendoset një pllakë përkujtimore në nder të poetit.
Përmes një njoftimi, bashkia sqaron se aktivitetin e organizon Ambasada e Shqipërisë në Austri dhe se vetë institucioni i bashkisë është i ftuar.
Sipas bashkisë, Maries i është ofruar mbështetja për të shkuar në aktivitet me delegacionin e saj, por e ka refuzuar.
Ndër të tjera, Bashkia e Pogradecit është ndalur dhe te banesa e poetit në Pogradec, për të cilën thotë se është shitur nga vetë trashëgimtarët dhe tashmë është në pronësi private. Bashkia thotë se ka pasur akuza për fatura false dhe lajme të cilat janë të pavërteta.
Reagimi (pa ndëhyrje) i Bashkisë Pogradec
Bashkia Pogradec, pasi ndoqi të plotë intervistën e znj. Marie Gusho, vajzës së poetit të madh Lasgush Poradeci, në Top Channel, lidhur me akuzat e ngritura ndaj institucionit tonë, ndien detyrimin të sqarojë publikisht si më poshtë:
Së pari, në lidhje me aktivitetin që do të mbahet në Graz të Austrisë për vendosjen e pllakës përkujtimore në banesën ku ka qëndruar Lasgush Poradeci, sqarojmë se Bashkia Pogradec nuk është institucioni organizator i këtij aktiviteti. Organizimi realizohet nga Ambasada Shqiptare në Austri dhe Bashkia Pogradec është e ftuar zyrtarisht në këtë event.
Megjithatë, pas reagimit publik të znj. Marie Gusho, ku u përfshi edhe Bashkia Pogradec, ne si institucion ofruam mbështetjen tonë të plotë për pjesëmarrjen e saj në aktivitet, pavarësisht se nuk jemi organizatorët e tij, mbështetje e cila u refuzua.
Së dyti, përsa i përket emërtimit të Pallatit të Kulturës në Pogradec, sqarojmë se që prej vitit 1988, me pjesëmarrjen edhe të shkrimtarit Ismail Kadare, kjo godinë mban emrin Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, emër që vazhdon të mbetet i pandryshuar edhe sot.
Qendra multifunksionale e përmendur nga znj. Marie është krijuar për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, artistike sportive dhe promovuese,(QMP ka në varësi Qendrën Kulturore dhe Drejtorinë Sportive) por nuk ka ndryshuar asnjëherë as emrin e Pallatit të Kulturës, i cili vazhdon të mbajë emrin e poetit të madh dhe as emrin e Qendrës Kulturore.
Së treti, në lidhje me akuzat për fatura false dhe përhapjen e lajmeve të pavërteta në media, sqarojmë se:
Shoqëria QMP sh.a. funksionon sipas legjislacionit për shoqëritë aksionere me kapital shtetëror dhe është subjekt i kontrollit të vazhdueshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në përfundim të çdo viti dorëzohen bilancet financiare, të përgatitura nga kontabilistë të licencuar, në përputhje me legjislacionin e Ministrisë së Financave.
Nga krijimi i kësaj shoqërie në vitin 2022 e deri më sot, nuk është konstatuar asnjë shkelje dhe asnjë dëm ekonomik.
Gjithashtu, administratori i shoqërisë është subjekt i ILDKPKI, një tjetër mekanizëm kontrolli dhe transparence.
Së katërti, në lidhje me shtëpinë muze të Lasgush Poradecit, për hir të së vërtetës, rikujtojmë se banesa e poetit është shitur nga vetë TRASHËGIMTARËT dhe aktualisht është në pronësi private.
Bashkia Pogradec, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, prej vitesh po punon për të gjetur dakordësinë me pronarët aktualë, me qëllim kthimin e saj në shtëpi muze, ashtu siç e meriton figura e Lasgush Poradecit. Aktualisht jemi në proces, në kuadër të projektit për rikualifikimin e lagjeve historike, ku përfshihet edhe muzeu.
Së pesti, përsa i përket restaurimit të shtatoreve të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, sqarojmë se ato ishin dëmtuar nga faktorët atmosferikë. Bashkia Pogradec kishte hartuar një projekt restaurimi dhe, në bashkëfinancim me Këshillin e Qarkut Korçë, ishte drejt finalizimit të punimeve.
Atë kohë, pati një vetëofrim nga profesori i nderuar z. Vladimir Llakaj, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me institucionin tonë, realizoi falas restaurimin e të dyja shtatoreve.
️Në përfundim, Bashkia Pogradec e kupton indinjatën e znj. Marie Gusho në lidhje me aktivitetin në Graz, por rithekson se nuk është organizatore e këtij eventi. Pikërisht për këtë arsye, Bashkia e ka ftuar znj. Gusho të bashkohej me delegacionin tonë.
Kërkojmë që në të ardhmen të shmangen akuzat e pavërteta dhe dezinformuese ndaj institucionit që përfaqëson qytetarët e Pogradecit dhe që, me respekt maksimal, ka nderuar çdo vit figurën e Lasgush Poradecit përmes aktiviteteve të shumta kulturore, ku znj. Marie ka qenë gjithmonë e ftuar por që për arsye të saj personale, ka munguar.
Faleminderit.
ObserverKult
Lexo edhe:






