
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Sami Hajra:
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
– Vetë rruga dhe orvatja për ta arritur lumturinë, shpeshherë na bënë të lumtur. Kjo varet krejtësisht nga procesi i të menduarit, nga aftësitë tona personale, nga mënyra se si mendojmë dhe ndjejmë. Altruizmi është arma ime e vetme për ta arritur lumturinë.
Cila është frika juaj më e madhe?
– Humbja e dinjitetit tim.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
– Çdokë që ka arritë të bëj “diçka” të dobishme, në të mirën e shoqërisë. Ata që me pagë Kosove arrijnë t’i paguajnë faturat e fund-muajit. Dhe ish-vjehrrën e shoqes sime, që në moshën 89-vjeçare e ka gjetë dashurinë e zjarrtë, pa i plasë se si e gjykojnë stërnipat e mbesat.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
– Me asnjërin! Secili njeri është botë më vete. Por, ufff, sa për t’iu përgjigjur pyetjes: me Fan Nolin.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
– Si ateist që jam, besoj shumë te njerëzit.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
– Servilizmin. Servili është nana e krejt të këqijave shpërfytyruese.
Në cilat gjëra e teproni?
– Me cigaren. Në auto-kritikë, ku kjo është gijotina ime. Dhe, i ngacmoj krijuesit shumë. Se kam asgjë personale me askënd, thjeshtë dua t’i shoh më të mirë, më të përsosur, më të arrirë. Nuk jam xheloz e fanatik të më bëjnë hije apo t’ia ndjej konkurencën ndonjërit, thjesht nuk pajtohem me asnjë pajtues, dhe përpiqem t’iu bërtas. 😄
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
– Kur të vërtetat bëhen të padurueshme dhe bajate.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
– Kur lë një libër të mirë përgjysmë, që mezi s’pres t’i rikthehem, dhe udhëtimet e paplanifikuara.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
– Ndoshta fjalën Libër, ose frazën: “te cili libër”. Sepse, viteve të fundit, duke u rrethuar nga antipodët e librit, u detyrova ta “shpikja” një ironi, për të mbetur gjallë. U detyrova t’ia krijoj vetës një buzëqeshje, përballë mynxyrës së brezave idiot të teknologjisë e idiotizmit, dhe çfarëdo që thoshte apo shprehej “dikush”, unë i drejtohem me pyetjet sarkastike: “te cili libër e ke mësuar këtë”?, ose: “te cili libër është kjo”?. Nëse prapë s’ia len’ “shenjë” ironia, për ta bastarduar fare muhabetin, i drejtohem në mënyrën habitore: “kush jeni ju”? Pra, kjo duhet të jetë.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
– Ndjehem keq për dy gjëra: kam fjetur me shumë femra të cilat nuk i kam dashur fare; dhe gjatë luftës së fundit të Kosovës nuk zgjedha arratisjen siç vepruan shumë heronj të sotëm, por qëndrova këtu në Kosovë, dhe ndjehem keq që s’kam pasë fuqi të bëja më shumë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
– Letërsia! Biblioteka ime. Librat e mi ku mbytem mes tyre. Po t’mos ishte letërsia, me shumë gjasë do isha një vrasës.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
– Prej kohësh, kam krijuar kufij jetik që e kam parcializuar hapësirën fizike. Pra, di kur të ndaloj dhe çfarë të bëj. Para ca vitesh, pothuajse tri vjet nuk bëja asgjë, kisha rënë në asedia-s, dhe s’kisha nerva për asgjë. Pasi kalova fazën e të mos bërit asgjë, tani jam shumë i fokusuar te shkrimet e mija, ku së shpejti do dalin disa tituj. Letërsia nuk më lë të ndjej lodhje.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
– Do ulja dozën e ndjeshmërisë që kam, sepse shumëherë më ka kushtuar.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
– Asgjë. Të arriturat e mia sapo kanë filluar. Këtë pyetje do duhej të ma bënin në ditën e fundit të jetës. Por, si arritje kontinuitive e cilësoj ribërjen time. Aftësinë, ku çdo ditë të jetës, e rikonstruktoj qenien time dhe vazhdoj keshtu.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
– Asnjëherë nuk do bëja kompromise me vetën, pavarësisht pasojave. Do kisha shkuar vetëm me femrat që i kam dashur shumë, dhe do e kisha ndryshuar luftën e fundit të Kosovës, pra do kisha vepruar ndryshe.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
– Unë jam ateist dhe nuk besoj në botën e përtejme, zotin, apo aq më pak në ri-inkarnimin e shpirtit. Por, sa për të dhënë një përgjigjje: Po, do doja të isha një guri i madh që i tregon botës kufirin e shqiptarisë.
Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?
– Biblioteka dhe këpucët e mia. Këpucë që flasin. Shputa dhe këmbë që meritojnë nderim. Çohem në këmbë për këmbët e mia. Shputa që bartin një histori ndryshe. Një histori më vete, jetike. Hapa që, po të ndjekte ndokush do zhbëhej, ndoshta dhe do vdiste. Nuk dua të flas më shumë.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
– Injorancën. Kur një tufë derdimenësh ia përcaktojnë fatin, punën dhe jetën një njeriu normal.
Ku do dëshironit të jetonit?
– Këtu ku jam, në Kosovë. Ose në Stavanger të Norvegjisë. – Ka ca fshatra magjik ku për të lëvizur ke vetëm barkën ose tragetin. Pra, një vend ku s’të duhet makina as biçikleta.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
– Cilësia apo virtyti po them më mirë. Kam telepati gati profetike dhe nuk më ka gënjyer as mashtruar ndonjëherë. Dhe jam tepër toksik sipas (dhe për) injorantëve.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
– Fjalën. Fjalën e dhënë. Besën. Një burrë që nuk mbahet për fjalës, humbet epitetin njeri.
Çfarë vlerësoni te një grua?
– Mençurinë e saj dhe brishtësinë e saj. Pa brishtësinë e saj, ne nuk bëhemi kurrë burra.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
– Ai që din gjithçka! – Kam listë të gjatë të shkrimtarëve të parapëlqyer, por po e veçoj këtë radhë Umberto Eco-n.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
– Babai im (i ndjerë). Pa emrin e tij, pa lirinë, dashurinë dhe mbështetjen e tij, nuk do isha bërë kurrë kaq i trent’ sa jam.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
– E adhuroj pianon. Kam dëgju dhe dëgjoj çdo ditë muzikë klasike. Kam pasë andërr ta mësoja pianon. Me gjithë këto duar që kam dhe me gjithë këta gishta të gjatë, ndoshta mund të bëja mrekulli për shpirtin. Por, tani më kanë ngelur gishtat, vetëm nëse kam nevojë të kruhem diku. 😄
Si do të dëshironit të vdisnit?
– Do bëja eutanazinë, pa asnjë hamendësim.
Cila është motoja juaj?
– Gjeje kurajon, t’i ndryshosh gjërat që nuk mundesh.
ObserverKult
Lexo edhe:






