
Aktori fitues i çmimit Oscar, Morgan Freeman, ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë përdorimin e paautorizuar të zërit të tij nga Inteligjenca Artificiale, duke kërkuar mbrojtje ligjore.
Gjatë një paraqitjeje në CBS Mornings, Freeman u pyet për përdorimin e IA-së në riprodhimin e zërave dhe pamjeve të aktorëve. Përgjigjja e tij ishte e prerë: “Kam angazhuar avokatë.” Ai sqaroi se ekipi i tij ligjor tashmë po punon për të kufizuar përdorimin e paautorizuar të zërit të tij, ndërsa raste të tilla vazhdojnë të shfaqen.
Freeman aktualisht po promovon serialin dokumentar të Netflix, “Dinosaurët”, i realizuar me ftesë të regjisorit legjendar, Steven Spielberg. Në këtë projekt, ai kontribuon me narracionin e tij karakteristik.
Duke folur për tonin e tij të veçantë, Freeman theksoi se ai nuk është thjesht natyral, por rezultat i studimit dhe përkushtimit: “Shkova në shkollë dhe studiova vokal dhe recitim,” u shpreh aktori, duke nënvizuar se zëri i tij është produkt i trajnimit profesional dhe praktikës shumëvjeçare. Qëndrimi i Freeman vjen në një kohë kur përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të klonuar zëra dhe imazhe po ngre debate të forta ligjore dhe etike në industrinë e argëtimit./tema
ObserverKult
Lexo edhe:






