
3 marsi, Dita Ndërkombëtare të Shkrimtarëve, kishte mbledhur si asnjëherë tjetër në sallën e madhe të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë shkrimtarë, botues, kritikë letrar e dashamirës të letërsisë. Kjo ngjarje kishte për temë trajtimi dhe takimi shkrimtarin Sabit Rrustemi dhe krijimtarinë e tij.
Kjo ditë u shënua për herë të parë në bibliotekë dhe ishte përzgjedhur autori i cili vetëm për shkak të një tregimi të publikuar në revistën “Fjala” si 22-vjeçar, mban burg katër vjet dhe për nëntë vjet me radhë i ndalohet e drejta e botimit.
“Sabiti është autori i parë i Kosovës (qoftë edhe i fundit) që burgoset për shkak të letërsisë, prandaj jemi mbledhur këtu dhe do të shenjojmë bashkë këtë monument dashurie dhe përkushtimi të tij për dy dashuritë e shkrimtarit pa të cilat zor se mund të jetojnë: lirinë dhe letërsinë. Sabiti dhe shokët e brezit të tij të qëndrestarisë së vitit 1981 nuk janë siç ishin para 45 vjetësh. Me sakrifica mbi shpatulla, me koka të thinjura, ata vazhdojnë të krijojnë. E Sabiti, ndryshe prej tyre, e vazhdon letërsinë, vazhdon të promovojë autorë të rinj, të rikujtojë të ikurit dhe të promovoj letërsinë dhe lirinë”, tha në fjalën e mirëseardhjes drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” Naime Beqiraj.
Më tej, për veprimtarinë e autorit folën panelistët e ftuar, të cilët u shprehën me vlerësime të larta për kontributin e tij shumëvjeçar në letërsinë shqipe. Ata theksuan dimensionin estetik dhe qëndrueshmërinë krijuese të veprës së tij, duke e cilësuar atë si një zë të veçantë që ka ditur të ruajë autenticitetin dhe thellësinë poetike në çdo periudhë të krijimtarisë.
Emin Azemi theksoi se krijimtaria e Sabit Rrustemit nuk është thjesht një seri botimesh të shpërndara në kohë, por një projekt estetik dhe ontologjik, i ndërtuar mbi një kontinuitet të rrallë krijues që nga fundi i viteve shtatëdhjetë e deri në dekadat e fundit. Ky kontinuitet, sipas tij, nuk duhet kuptuar si përsëritje, por si një proces i vazhdueshëm i thellimit të vetëdijes poetike.
Prend Buzhala rikujtoi se nga viti 1977, kur Sabit Rrustemi e botoi poezinë e parë, e deri më sot, kanë kaluar mbi 40 vjet krijimtari. Ai theksoi se rindërtimi i kujtesës letrare dhe rrugëtimi nëpër kohë përbëjnë një sfidë të rishikimit të së kaluarës, por edhe të rilindjes së një letërsie dhe kulture në vazhdimësi.
Anton Nikë Berisha, nga ana e tij nënvizoi se Sabit Rrustemi poet dhe Sabit Rrustemi prozator janë të pandashëm. “Viteve të fundit mbizotëron poezia, ku ai ka arritur kulmet e krijimtarisë së tij. Elementi që i lidh poezinë dhe prozën është teksti poetik, përbërësi kryesor që e bën veprën e tij të veçantë, të pasur dhe të rëndësishme”.
Ndërkaq, Nexhat Rexha foli për vëllimin poetik “Shprush nëpër dej”, duke theksuar se Rrustemi ngërthen artikulim reflektues dhe kërkim të autenticitetit burimor, duke e ndërlidhur estetikën nga lashtësia antike me vazhdimësinë e unit poetik të autorit.
Një fjalë përshëndetëse u mbajt edhe nga autori, i cili falënderoi drejtoreshën dhe stafin e Biblioteka “Hivzi Sulejmani” për mikpritjen dhe organizimin, ndërsa në fund e përmbylli aktivitetin me deklamimin e poezive të tij.
Veprimtaria mori një domethënie të veçantë pasi përkoi me 45-vjetorin e demonstratave të studentëve të vitit 1981, duke rikujtuar rolin e intelektualëve dhe krijuesve në kohë sfidash historike. Ky aktivitet u shndërrua në një festë të vërtetë të fjalës së shkruar dhe të kujtesës historike, duke dëshmuar se letërsia mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të identitetit dhe qëndresës kulturore.
Ngjarja u moderua nga poetesha Linditë Ramushi Dushku.
ObserverKult
Lexo edhe:






