
Filmi “One Battle After Another” i regjisorit Paul Thomas Anderson është një nga pretendentët më të pazakontë në garën e këtij viti për Oscar.
Një përzierje mes satire, drame politike dhe spektakli hollywoodian, filmi paraqet një përplasje kaotike mes një regjimi represiv dhe një grupi rebelësh të çorganizuar që luftojnë për liri. Rezultati është një histori që njëkohësisht e kritikon Amerikën dhe e do atë – një film që duket po aq i trazuar sa vendi që portretizon.
Në qendër të historisë është Bob, i interpretuar nga Leonardo DiCaprio, një ish-aktivist rebel që tani jeton i lodhur dhe i zhgënjyer. Kur vajza e tij, Willa (Chase Infiniti), rrëmbehet, ai detyrohet të rikthehet në betejë.
Filmi është një adaptim i romanit Vineland të Thomas Pynchon, por historia është zhvendosur në realitetin politik të viteve 2020. Ngjarjet kalojnë nga kampet e ndalimit për migrantët te qytetet “strehë”, ndërsa zbulohet një rrjet nacionalist i krishterë brenda qeverisë federale amerikane.
Grupi ekstremist në film e quan veten “Christmas Adventurers” dhe pretendon se ka një mision hyjnor për ta “bërë Amerikën sërish të madhe”. Mesazhi i tyre është i thjeshtë dhe i rrezikshëm: për të shpëtuar vendin – dhe botën – duhet filluar me emigracionin.
Filmi ka një ton të paqëndrueshëm dhe të tensionuar. Muzika e Jonny Greenwood i jep ritmin një historie që shpesh duket si një melodi e ndërtuar nga nota që përplasen me njëra-tjetrën. Në ceremoninë e Golden Globe Awards u kategorizua si komedi, dhe në një farë mënyre është e tillë: plot humor të ashpër, absurditet dhe energji kaotike. Por njëkohësisht është edhe seriozisht i errët.
Antagonisti, koloneli Lockjaw – i luajtur nga Sean Penn – është një figurë që duket pothuajse si karikaturë. Megjithatë, pas kësaj fasade groteske fshihet një rrezik real. Personazhi kujton figura reale të aparatit të sigurisë në SHBA, ku autoritarizmi shpesh maskohet pas retorikës patriotike.
Ndryshe nga shumë filma politikë, “One Battle After Another” nuk është një propagandë e drejtpërdrejtë. Simpatia e tij është qartazi me të dobëtit dhe aktivistët për drejtësi sociale, por filmi e pranon se kjo betejë është e gjatë dhe shpesh e pashpresë. Kufijtë mes palëve janë bërë të paqartë dhe Amerika që paraqitet në film është e përzier, kontradiktore dhe e ndërlikuar.
Në këtë kuptim, historia i referohet edhe traditës së letërsisë amerikane. Një element i rëndësishëm i rrëfimit – identiteti i vërtetë i vajzës Willa – kujton tematikat e romanit Pudd’nhead Wilson të Mark Twain, i cili demaskonte absurditetin e racizmit në shekullin XIX. Filmi i Andersonit e zgjeron këtë ide për të treguar se ndarja politike mes “Amerikës së kuqe” dhe “Amerikës blu” është po aq artificiale.
Një film nuk ka nevojë domosdoshmërisht të jetë aktual për të fituar Oscar, por ndonjëherë koha e duhur e bën diferencën. Në një moment kur shumë njerëz hezitojnë të flasin hapur për politikën, një film kaq i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm duket veçanërisht i rëndësishëm.
Edhe pse nuk është filmi më i mirë i karrierës së Andersonit – shumë kritikë vazhdojnë të konsiderojnë The Master si kulmin e tij – “One Battle After Another” përfaqëson një lloj kinemaje që po bëhet gjithnjë e më i rrallë: një epikë e madhe, ambicioze dhe e papërmbajtur.
Filmi përfundon me një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm: historia ndryshon ngadalë dhe shpesh duket se shkon prapa. Megjithatë, çdo përpjekje ka vlerë. Brezat rebelë mund të dështojnë, por ata ia kalojnë flakën brezit tjetër. Dhe ndoshta ata që vijnë pas do të arrijnë të bëjnë pak më mirë. /GazetaExpress
ObserverKult
Lexo edhe:






