
Çdo ditëlindje e festoj dhe nuk e kam pasur kurrë problem që të tregoj moshën. Flokët i lyej me të njëjtën ngjyrë timen. Rrudhat kam preferuar t’i zhduk veç me buzëqeshje. Me këtë kam luftuar frikën se mos një ditë të bukur humbisja fytyrën time.
Nuk e kam lodhur shumë veten me vrap, me ushtrime fizike, hapa të numëruar, përveçse me një sport vere që e dua shumë, notin. Kjo nuk quhet sakrificë.
Nuk kam mbajtur kurrë dietë, se jam një shijuese e tmerrshme ushqimi dhe e verës së mirë.
Gjërat e ndaluara si puro, alkooli etj. 😉që janë të dëmshme për shëndetin, më shijojnë shumë.
Kam provuar në jetë dashuri të madhe, nga ajo që ndodh në filma. Kam provuar dhe dashuri të forta, plot emocion, dashuri më të vogla, dhe përherë kam qenë e lumtur me to.
Do jetoja bukur edhe pa shkruar poezi, por jo pa bërë dashuri.
Nuk kam vuajtur asnjëherë nga xhelozia se e kam dashur veten, edhe kur pasqyra nuk më ka gënjyer.
Dhimbjet për njerëzit e shtrenjtë që kam humbur, i kam shndërruar në burim energjie, force dhe frymëzimi.
Miqësia, sikurse dashuria, ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe ka mbetur e tillë në arkivin tim, edhe kur e kam humbur rrugës nga mosmarrëveshjet. Nuk kam frikë nga miqësitë e reja, edhe pse ato kërkojnë përkushtim dhe besim.
Familja e ngushtë apo e zgjeruar është ajo çka më bën të ndihem më vetvetja se me këdo pranë. Dhe dashuria, dhe grindjet, dhe kujdesi i ndërsjellë, qoftë dhe i tepruar, i japin kuptim të thellë duke mos i lënë asnjë cep bosh mozaikut të jetës sime.
I kam vlerësuar përherë kundërshtarët e mi, se më kanë ushqyer me adrenalinën për t’u përsosur si njeri dhe në profesionin tim. Por jashtë fokusit tim kanë mbetur përherë lëngaraqët dhe ata pa din e pa iman. Nuk kam harxhuar asnjë grimë energjie për ta.
Kam shkruar kur isha e re, se do ta ndryshoja botën hipur mbi biçikletën e kaltër që ecte me energjinë e muskujve të mi. Biçikletën ma vodhën, por jo ëndrrën, me të cilën arrita këtu ku jam sot, rrethuar mes librash dhe njerëzve të librave. Botën nuk e ndryshova, por veten dhe shumë njerëz rreth e qark meje për t’u bërë më humanë, më të sinqertë e më tolerantë.
Liria është një dhuratë që m’u dha ditën kur linda dhe ditën kur donin të ma merrnin, nuk e kam lëshuar e nuk do ta lëshoj kurrë nga duart.
Jam e lumtur me jetën që kam bërë. Deri më sot nuk kam njohur asnjë mashkull të bëjë jetë më të lirë dhe më të hapur para rrezikut, se unë.
Jam akoma më e lumtur për lirinë femërore, me të cilën jeton edhe vajza ime.
ObserverKult






