reklamë

Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë” me regji nga Andamion Murataj fiton çmim në Festivalin e Barit

Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është vlerësuar me çmimin special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari, “Bif&st”.

Në faqen online të festivalit, shkruhet se, ishte veçanërisht e vështirë për jurinë të zgjidhte midis kaq shumë performancave të shkëlqyera femërore.

“Prandaj, vendosëm të dhuronim një vlerësim të veçantë, në njohje të punës së një aktoreje të aftë për të portretizuar një personazh jashtëzakonisht kompleks me thjeshtësi çarmatosëse. Një jetë e jetuar si burrë për vite me radhë, derisa zgjimi i një ndjenje të fortë amësie shkatërron atë ekuilibër sipërfaqësor. Interpretimi i Drita Kaba Karagës në filmin “Burri i shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është një pamje e domosdoshme për çdo dashamirës të filmit”, shkruhet në motivacionin e çmimit.

Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Televizionit në Bari, “Bif&st” është një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në rajonin e Mesdheut. “Burri i shtëpisë” nga Andamion Murataj është vlerësuar me çmim special si një nga filmat më të veçantë të edicionit të 17-të të festivalit.

Regjisori është shprehur se është i lumtur me këtë rikthim, 35 vjet pas mbërritjes së tij në brigjet e Barit me anijen “Vlora”.

Filmi “Burri i shtëpisë” ka në qendër të tij historinë e një burrneshe të vendosur në kushtet e një shoqërie moderne të një Shqipërie që ndryshon dita-ditës. Për ndërtimin e karakterit të Franit, regjisori Murataj ka zgjedhur që në fillim aktoren Drita Kaba-Karaga nga Maqedonia e Veriut, duke e parë personazhin të lidhur me aftësitë e jashtëzakonshme psiko-fizike dhe mjeshtërinë e lartë interpretuese të aktores.

ObserverKult