
Katër poezi të shkurtra nga Christopher Poindexter
1.
E pranoj
druhesha të dashuroja.
Jo të dashuroja,
por ta doja atë,
sepse ajo ishte një mister
mahnitës.
Ajo mbante gjëra
thellë brenda vetes që askush
nuk i kish kuptuar ende
dhe unë,
kisha frikë të dështoja
si të tjerët.
Ajo ishte oqeani
dhe unë isha ai djali,
që i doja valët,
por isha krejt
i tmerruar të
notoja.
2.
Është e vërtetë që
kur jemi në mes të dashurisë së madhe,
ne e ngjitim më lart veten tonë.
Çfarë mund të jetë më magjike se kaq?
Të ngjitesh lart me një person tjetër,
një zemër tjetër që rreh.
Të ndihesh i gjetur në një botë
që duket kaq dëshpërimisht
dhe dhimbshëm e humbur.
3.
Ajo e la ujin t’i mbulonte
kyçet e përsosura,
shikonte valët të rrotulloheshin
si fëmijët në gjumë,
dhe pikërisht në atë çast,
vetëm një mendim
vorbullonte në kokën time xheloze;
Sa do të dëshiroja ta doja botën
ashtu si ajo e donte detin.
4.
Ajo i fshehu
veshët
në qetësinë
e rrahjeve të zemrës së tij,
dhe në pak sekonda;
ra tmerrësisht në dashuri
me mënyrën
se si vetmia e saj ra
butësisht dhe papritur,
në gjumë,
në gjoksin e tij.
Solli në shqip Irena Dono
ObserverKult
Lexo edhe:
Margaret Atwood: Shkrimtari, lexuesi dhe libri si ndërmjetës






