reklamë

Rrapo Ormëni, fituesi i çmimit “Vepra më e mirë studimore” në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik e Shkencor

Akademiku i asociuar, Rrapo Ormëni, shpallet fitues i çmimit “Vepra më e mirë studimore” në Panairin e 5-të Mbarëkombëtar të Librit Akademik e Shkencor.

Akad. asoc. Ormëni u vlerësua për librin “Vepra të zgjedhura në fushën e sizmologjisë” për kontributin dhe punën shkencore të akad. Eduard Sulstarova (1934–2014).

Zv.kryetari i Akademisë, akad Vasil Tole në hapjen e aktiviteteve të ditës së tretë të panairit shprehu vlerësimin për Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit si partneri kryesor në organizimin e këtij panairi. Ai tha se në kuadër të misionit të saj për promovimin e librit në Republikën e Shqipërisë dhe të figurës së autorit të librit që është figura e shkencëtarit qendra në bashkëpunim me dy akademitë ka ideuar dhënien e këtij çmimi që do të vazhdojë për gjithë kohën që ky panair do të vazhdojë.

Ndërsa drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku vlerësoi mbajtjen e panairit në kuadër të Ditës Kombëtare të Librit dhe bashkëpunimin e QKLL-së me Akademinë e Shkencave. Ajo u shpreh se bashkëpunim me një institucion si Akademia i jep dinjitet institucional qendrës së librit.

Duke lexuar motivacionin e jurisë, Marku theksoi se kjo vepra e Rrapo Ormënit është një monument shkencor, që jo vetëm ruan trashëgiminë e një figure të shquar, por edhe hap horizonte të reja për kërkime në fushën e sizmologjisë dhe gjeoshkencave.

Akad. Ormëni u shpreh se është nder dhe privilegj që kontribuoi në përgatitjen e këtij volumi të akademik Sulstarovës dhe ky çmim që jepet sot nga akademia e Shkencave të Shqipërisë është një vlerësim jo vetëm institucional, por edhe personal pasi tregon se puna e bërë kontributi i përkushtimit ndaj shkencës dhe mësuesit asnjëherë nuk humbet./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Je i ri dhe dëshironi të shkruani… ja këshilla e Borgesit për ju