
Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë kujtoi sot poetin, gazetarin e ushtarakun Trifon Xhagjika, i cili u bë një nga disidentët e parë letrarë kundër diktaturës komuniste.
Trifon Xhagjika lindi më 29 prill 1932, në Tepelenë. Pas studimeve në Elbasan dhe Tiranë, ai shërbeu si oficer i artilerisë së Ushtrisë Popullore. Gjatë shkollës së mesme, ai u lidh ngushtë me letërsinë përmes studimeve dhe pasionit për poezinë. Krijimet e tij u botuan në revistat kulturore më të njohura të kohës.
Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë poetik “Gjurmët”, duke shënuar fillimin e një rruge të guximshme letrare. Fryma e tij rebeluese dhe lirike filloi të tërhiqte vëmendjen, duke e vendosur shpejt në konflikt të hapur me regjimin.
I gjendur nën trysninë e një sistemi që kufizonte mendimin, Xhagjika zgjodhi rrugën e vështirë të disidencës. Mbrojtja e lirisë së fjalës e çoi atë në një konflikt të hapur me regjimin, çka kulmoi me dënimin e tij me vdekje në moshën 31-vjeçare.
Akti i tij i fundit në sallën e gjyqit, recitimi i vargjeve “Atdheu është lakuriq”, mbetet një dëshmi e pathyeshme e dinjitetit njerëzor.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika u nderua me titullin “Martir i Demokracisë”, si vlerësim për jetën dhe veprën e tij të flijuar në emër të lirisë.
Atdheu është lakuriq
Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër,
po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!/atsh
ObserverKult
Lexo edhe:






