
621 vjet më parë lindi heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Skënderbeu, lindi më 6 maj të vitit 1405 në një familje fisnike të Dibrës. I biri i Gjon Kastriotit, Gjergji, konsiderohet si një nga figurat më të shquar në historinë e shqiptarëve dhe si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, Skënderbeu udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
Me Kuvendin e Lezhës Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar.
Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte edhe 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.
Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.
Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë Osmane të zgjatej drejt Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:
Figura e Skënderbeut, dëshmi se një njeri me vullnet dhe ide mund të ndryshojë rrjedhën e historisë…






