reklamë

Ardiana Thaçi: Qysh vritet nji dashni

Me teka,
t’lehta e t’padukshme…
me frymë,
me sy,
me fjalë
e me heshtje t’gjata
që rrinë pezull
mbi tavolinë.
Ja nji mënyrë e kollajtë:
marrim fije t’holla dyshimi,
t’linduna n’orë frike,
e i hedhim mbi pritjet
që janë rritë tepër shpejt.
ushqejmë rrënjët e keqkuptimit,
shtojmë shikime t’ftohta,
t’largta,
sy që s’ndalen ma
si dikur.
i përziejmë ngadalë
mbi zjarrin e pritjeve t’boshatisuna,
derisa gjithçka
nis me marrë erë vetmie.
mandeji
i ambëlsojmë pak
me mallin e andrrës s’mbramshme,
sa për mos me e ndie
idhët krejt.
e n’fund
servojmë pjatën e ftohtë t’heshtjes,
zbukurueme
me mungesën e tjetrit.
u shijoftë ikja
në mungesë
t’nji thirrjeje.

ObserverKult


Lexo edhe:

“T’due”, poezi nga Ardiana Thaçi