reklamë

Zanë Memeti: Mëkati im, lëngatë e muzës

Më lëngon muza.
E plagosa, duke e dashur.
Telat e shpirtit i kam të këputur,
mbështjellë me vargje dhembjeje.
I lidh nyjë pas nyje,
me shpresën se do të rigjenerohen
nga qelizat e dritta.

Drita, është e vetmja krijesë,
që di ta qepë atë, që dhembja e ka shqyer.

Fjalët më ngjiten deri në kockën e fytit,
aty ku zëri bëhet gur, e nuk i shqiptoj dot. Mbeten pezull, si zogj që dinë të fluturojnë,
por e kanë harruar qiellin.

Më dhemb, më dhemb…!
Oh, sa dhemb!
Nuk mund ta dijë gjithkush.

Ngulfatem nga gjithçka, që do të lindë,
e nuk ka ende zë.
Nga vargjet që trokasin në barkun e heshtjes, por nuk e gjejnë portën e dritës.
Muza më lëngon…
Duke e dashur aq fort, aq njerëzishëm,
e plagosa.
Rri pranë saj si pranë një zjarri,
që e kam ndezur vetë,
e nuk di më, si ta shuaj pa e vrarë dritën.

Muzë…!
Të vriska edhe dashuria?
Mos vallë çdo dashuri e skajshme,
e mban fshehur në zemrën e saj
edhe farën e plagës?
Eh, kushedi!?
Kush vallë, mund ta dijë?
Ndoshta ajo që duam më shumë,
është pikërisht ajo që e ndiejmë më thellë,
e pa dashur e lëndojmë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Zanë Mehmeti: Rrugë të një burgu pa mure