Yehuda Amichai: Asgjë prej nesh s’ka për të mbetur në këtë vend

Yehuda Amichai
Yehuda Amichai (3 maj 1924 – 22 shtator 2000)

Poezi nga Yehuda Amichai

Siç do të fashitet gjurma e trupave tanë,
gjë prej nesh s’ka për të mbetur në këtë vend,
tretet bota mbas nesh,
rëra sheshohet vetvetiu.

Datat janë shfaqur në kalendar tashmë
në to ti s’gjendesh më,
tash një erë u fryn reve
por shiu i tyre nuk do t’na lagë.

Emri yt gjendet tashmë në lista pasagjerësh të anijeve
dhe në regjistra hotelesh,
që po t’i gjykosh nga emrat
të vyshket zemra.

Tri gjuhët që flas,
gjithë ngjyrat në të cilat shoh ëndrra:
asnjëra s’më ndih dot.

Përktheu: Edon Qesari

ObserverKult

Yehuda Amichai

Lexo edhe:

YEHUDA AMICHAI: MARTESË E VONË

Rri ulur në dhomën e pritjes me dhëndurët
shumë më të rinj se unë. Nëse do të kisha jetuar në kohët e lashta
do të isha bërë profet. Por tani pres në heshtje
të regjistroj emrin tim krahas emrit të gruas së dashur
në librin e madh të martesave,
dhe t’u përgjigjem pyetjeve, që unë
ende mund t’u përgjigjem. Jetën time e kam mbushur me fjalë,
në trupin tim kam mbledhur aq shumë të dhëna
sa mund të furnizoj shërbimet sekrete të disa shteteve.

Mbi hapa të rëndë mbart mendimet të lehta
siç mbartja në rini mendime të rënda mbi fatin
mbi këmbë të lehta, që pothuajse vallëzonin
me kaq shumë të ardhme përpara.

Trysnia e jetës sime
e afron më shumë datën e lindjes me datën e vdekjes.
Si në librat e historisë ku,
trysnia e historisë afroi ato dy shifra
afër emrit të mbretit të vdekur
me një vizë lidhëse në mes.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU