
Nga: Blerim Valla
Me një ekspozitë që përcolli mesazhin e unitetit përmes artit, u përmbyll me sukses Kolonia e Artistëve, një nga aktivitetet më të rëndësishme të edicionit të tretë të festivalit “Ditët e Shqiptarit”, që po mbahet në Gjakovë.
Ekspozita “Lidhje Gjaku”, e kuruar nga piktorja e njohur Bardha Ferizi–Buza, solli para publikut veprat e krijuara gjatë një jave nga mbi 30 piktorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Veprat u ekspozuan në Parkun Kulturor “Ali Podrimja”, duke e shndërruar zemrën e Gjakovës në një galeri të hapur arti.
Merita të veçanta për organizimin e suksesshëm të Kolonisë së Artistëve i takojnë Fondacionit për Gjakovën, ekipit organizativ të festivalit dhe kuratores Bardha Ferizi–Buza, e cila vlerësoi nivelin e lartë artistik, përkushtimin dhe frymën krijuese të pjesëmarrësve.
Ndër emrat më të spikatur ishte mjeshtri i pikturës nga Tirana, Buron Kaceli, i cili u shpreh se Gjakova mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi dhe një përvojë artistike që do ta ruajë gjatë në kujtesë. Po ashtu, piktorja nga Pogradeci, Axherko Mezelxhiu, tha se qëndrimi në Gjakovë i dhuroi një përvojë të rrallë artistike dhe njerëzore.
Ekspozita “Lidhje Gjaku” dëshmoi se arti është gjuha që i bashkon shqiptarët, pa kufij. Punimet e ekspozuara në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës dhe në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” shpalosën identitetin, kulturën dhe shpirtin krijues mbarëshqiptar, duke e kthyer festivalin në një festë të vërtetë të artit.
Ky edicion i Kolonisë së Artistëve konfirmoi edhe një herë se Gjakova mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës dhe artit shqiptar, ndërsa ekspozita “Lidhje Gjaku” u shndërrua në simbol të lidhjes shpirtërore e kulturore të artistëve shqiptarë nga të gjitha trevat.
ObserverKult




Lexo edhe:






