
Nga Resul Jusufi
Shpesh në jetë ndihemi si një libër të cilit i mungojnë disa kapituj të mesit. Ndiejmë se brenda nesh ekziston një energji e pashfrytëzuar, një aftësi për të dhënë diçka që ende nuk kemi arritur ta shprehim, por nuk dimë si ta zbulojmë dhe si ta sjellim në dritë. Pyetja themelore që na shoqëron: ajo që lidhet me atë që jemi dhe atë që mund të bëhemi, nuk është vetëm një çështje për bibliotekat apo sallat e leksioneve; ajo është një nevojë e përditshme për të gjetur orientim përballë pasigurisë së kohës. Shpesh na ndodh ta gjykojmë veten vetëm nga brenda, si të ishim në një dhomë të errët plot zhurmë, ku kritiku ynë i brendshëm nuk na lejon të dëgjojmë zërin tonë të vërtetë.
Për të kuptuar se kush jemi, kemi nevojë të dalim për një çast jashtë vetes. Imagjino sikur po vështron një mik të dashur në një moment të vështirë: ti i sheh dobësitë e tij, por njëkohësisht dallon edhe dritën, forcën dhe potencialin që ai vetë shpesh nuk arrin t’i vërejë. Kur përpiqemi ta shohim veten nga kjo distancë, si një vëzhgues i paanshëm, ndalojmë së gjykuari dhe fillojmë të kuptojmë. Ky nuk është një proces i ftohtë mendor, por një çlirim i brendshëm, ku bëhemi më të vetëdijshëm për veten dhe marrim përgjegjësinë për drejtimin e fatit tonë.
Arti abstrakt – ai eshtë pa forma të qarta, pa peizazhe të njohura apo figura që mund t’i shpjegosh me fjalë – është, në të vërtetë, një nga gjuhët më të thjeshta, mund te them universale dhe më të sinqertë që kemi.
Kur përballesh me një kanavacë ku ngjyrat janë përplasur pa një strukturë të njohur, sytë e tu nuk kërkojnë më një objekt për ta njohur, por një ndjesi për ta përjetuar. Krijimtari nuk do të thotë domosdoshmërisht të vizatosh në mënyrë të përsosur; ajo do të thotë t’i lejosh botës sate të brendshme të derdhet mbi kanavacë ose mbi letër, pa frikën e gjykimit. Kur hedh një vijë të pa qart , me një ngjyrë çfarë do qoftë e zezë apo verdhë, nuk po krijon thjesht një pikturë; po nxjerr në dritë një copë të shpirtit tënd, të cilën fjalët nuk kanë arritur kurrë ta përshkruajnë plotësisht. Në këtë mënyrë, arti shndërrohet në një pasqyrë ku nuk sheh fytyrën tënde, por gjendjen e shpirtit tënd në atë çast të vetëm.
Një nga gabimet më të mëdha është të besosh se cilësitë tona janë talente që na kanë rënë nga qielli, të gatshme për t’u përdorur. Në të vërtetë, ato janë si muskujt e trupit: nuk bëhen forcë derisa të mos vihen në punë. Materializimi i tyre ndodh kur marrim guximin t’i shfaqim në botë, kur i provojmë në punë, në punëtori krijuese apo në biseda të thella. Nëse ndien se ke aftësinë për të dëgjuar, për të organizuar rrëmujën ose për të qetësuar të tjerët, këto nuk janë cilësi të vogla; ato janë fuqia jote e vërtetë. Ato bëhen të prekshme vetëm kur i vë në veprim, kur i ndan me të tjerët dhe kur i shndërron nga një mendim abstrakt në një veprim të gjallë.
Jeta jonë është e mbushur me disa pasiguri dhe shpesh kjo na tremb, sepse duam ta dimë fundin e çdo historie përpara se ta fillojmë. Por arti na mëson diçka thelbësore: nuk kemi nevojë t’i dimë të gjitha që në fillim. Mund të nisësh një punë, një vizatim apo edhe një ditë të re pa e ditur se ku do të përfundosh. Pikërisht kjo aftësi për ta pranuar të panjohurën është një nga forcat më të mëdha që mund të zhvillojë njeriu.
Kur pranon se nuk i ke të gjitha përgjigjet, bëhesh vërtet i lirë për të kërkuar ato që kanë kuptim për ty. Kur njerëzit përballen me boshllëkun krijues të artit, frika nga pasiguria shndërrohet ngadalë në kureshtje. Pikërisht aty njeriu ndalon së qeni një marrës pasiv i jetës dhe bëhet krijues i saj.
Në fund të fundit, kërkimi ynë për kuptim është një përpjekje e përbashkët. Të gjithë jemi krijues të jetës sonë, edhe kur nuk mbajmë një penel në dorë. Të zbulosh cilësitë e tua të fshehura nuk do të thotë domosdoshmërisht të arrish një sukses të madh; do të thotë të fillosh të jetosh në një mënyrë që të bën të ndihesh i gjallë në çdo zgjedhje që bën.
Kjo është thirrja për secilin prej nesh: të mos kërkojmë vetëm ekzistencën e thjeshtë, por kuptimin në atë që bëjmë çdo ditë, në çdo vijë që vizatojmë, në çdo mendim që kultivojmë dhe në çdo hap që hedhim drejt kuptimit te jetes sone ne version më të mire të mundshëm.
ObserverKult
Lexo edhe:






