
Poezia bashkëkohore shqipe gjatë dekadave të fundit është karakterizuar nga një zgjerim i horizonteve tematike dhe estetike, duke e zhvendosur vëmendjen nga trajtimi i temave kolektive drejt eksplorimit të botës së brendshme të individit. Brenda këtij zhvillimi, poezia e poetes Donika Dabishevci përfaqëson një zë origjinal, i cili ndërton një univers poetik ku ndërthuren: dashuria, erotika, kujtesa, identiteti, historia dhe liria.

Nga Rami Kamberi
Përmbledhja “Grue prej zjermi”, e poetes në fjalë paraqitet si një rrëfim lirik i ndërtuar në mënyrë ciklike, ku çdo poezi lidhet organikisht me tjetrën dhe krijon përshtypjen e një romani poetik. Vepra nuk trajton vetëm historinë e një dashurie. Në qendër të saj është procesi i transformimit të gruas, e cila nga një qenie e mbushur me pritje dhe kërkim shndërrohet në një figurë të lirë, të vetëdijshme për fuqinë, dëshirën dhe identitetin e saj. Dashuria në këtë përmbledhje nuk është vetëm ndjenjë, por një mënyrë ekzistence duke u shfaqur si forcë krijuese, si zjarr që shkrin kufijtë ndërmjet trupit dhe shpirtit, ndërmjet reales dhe mitikes.
Një element i rëndësishëm artistik është përdorimi i gegërishtes, që te Donika tash,ë është bërë identitet estetik. Fjalët dialektore krijojnë ritëm, afërsi emocionale dhe një muzikalitet të veçantë, duke e bërë tekstin poetik më autentik dhe më të fuqishëm.
Një karakteristikë tjetër e kësaj përmbledhjeje është përdorimi i vazhdueshëm i figurës së “synit”, që nuk mbetet vetëm emërtim i personit të dashur, por shndërrohet në simbol të dashurisë, të mungesës, të shpresës, dhe të vetë jetës. Përmes kësaj figure poetja krijon një dialog të vazhdueshëm, duke e bërë lexuesin dëshmitar të zhvillimit emocional të subjektit lirik.
Nga pikëpamja kompozicionale, përmbledhja “Grue prej zjermi” e poetes Donika Dabishevci, është organizuar në mënyrë ciklike. Renditja e poezive nuk është rastësore, por ndërton një zhvillim logjik dhe emocional që fillon me lindjen e dashurisë, vazhdon me përjetimin e saj, kalon në reflektim, mungesë dhe përfundon me afirmimin e identitetit të gruas.
– T’pathanat
Ky cikël paraqet fillimin e historisë poetike. Është cikli i zbulimit, i magjisë dhe i misterit. Dashuria paraqitet si një ngjarje e jashtëzakonshme që ndryshon rrënjësisht botën e subjektit lirik. Atmosfera është mitike dhe shpesh ndërthuret me referenca biblike, kozmike dhe simbolike.
Poezia hapëse “Adami jem”, funksionon si një akt krijimi. Figura e Adamit nuk është vetëm mashkulli i dashur, por simbolizon fillimin e një bote të re. Takimi me të përjetohet si një rilindje ekzistenciale. Vargjet “Ndoshta ka ardhë prej nji bote tjetër me ma përmbysë botën…” tregojnë se dashuria nuk perceptohet si përvojë e zakonshme, por si një forcë që ndryshon rendin e universit personal.
Një nga figurat më të rëndësishme artistike në këtë poezi është metafora kozmike. Hëna, yjet, galaktika dhe nata nuk janë elemente dekorative, por pasqyrojnë gjendjen emocionale të subjektit lirik.
Po ashtu, poezia “Asgjaja na rrethonte”, zhvillon idenë se dashuria lind edhe në zbrazëti. Edhe pse “gjithçka rrotull ish greminë”, prania e dy të dashuruarve krijon një univers të ri. Kontrasti ndërmjet humnerës dhe flakës së dashurisë është boshti simbolik i poezisë. Ndërsa në poezinë “Droja se ish i pagojë”, heshtja merr kuptim poetik. Moskomunikimi nuk shihet si mungesë, por si mënyrë më e thellë e komunikimit shpirtëror. Heshtja bëhet gjuhë.
– T’dhanat
Në ciklin e dytë dashuria kalon nga zbulimi në përjetim. Nëse cikli i parë dominohej nga misteri, këtu dominon afria fizike dhe emocionale. Erotika nuk paraqitet si provokim, por si mënyrë përmes së cilës shpirtrat komunikojnë. Një nga poezitë më përfaqësuese është “Syn, ti m’çmend!” ku trupi shndërrohet në gjuhë. Poetja nuk e ndan trupin nga shpirti; përkundrazi, të dy bashkohen në një përvojë të vetme. Vargjet “Duert t’zhyten n’trupin tem / si me qenë tuj lypë gurrën e jetës” janë një metaforë e fuqishme që e paraqet trupin si burim jete. Dashuria fizike nuk është instinkt, por kërkim i qenies së tjetrit. Përsëritjet: “Përçudnohemi. Zvetënohemi. Kafshohemi.” krijojnë ritëm të shpejtë dhe intensifikojnë emocionin. Foljet e njëpasnjëshme e bëjnë poezinë dinamike dhe i japin ndjenjës karakter shpërthyes.
Një tjetër poezi me rëndësi është “Mos u ndal, syn!” ku poetesha ndërton një filozofi interesante të komunikimit: ajo që nuk thuhet është po aq e rëndësishme sa ajo që thuhet. Heshtja fiton vlerë semantike. Në poezinë “Mos m’thirr n’emën, syn!”, shihet qartë se emri bëhet simbol i identitetit publik. Dashuria duhet të mbetet larg syrit të shoqërisë, sepse emri mund të shndërrohet në provë dhe në shkak gjykimi. Kjo poezi hap edhe dimensionin social të përmbledhjes, duke treguar konfliktin ndërmjet dashurisë intime dhe normave morale të komunitetit.
Në fund të këtij cikli, poezia “T’kam jetë!”, poetesha na e paraqet kulmin e bashkimit shpirtëror. Dashuria nuk është më vetëm ndjenjë apo dëshirë; ajo bëhet vetë jeta. Çdo çast i kaluar me të dashurin fiton peshën e një ekzistence të tërë.
Në këtë mënyrë, cikli T’dhanat, ndërton fazën më intensive emocionale të përmbledhjes, ku erotika, ndjeshmëria dhe spiritualiteti bashkohen në një tërësi artistike.
– T’mbajtunat
Në ciklin e tretë, poetesha na e shfaq fazën e pjekurisë për dashurinë. Nëse në dy ciklet e para mbizotëron zbulimi dhe pasioni, këtu dashuria bëhet një gjendje e përhershme shpirtërore. Subjekti lirik nuk kërkon më ta zbulojë tjetrin, por ta kuptojë dhe ta bëjë pjesë të identitetit të vet. Ky cikël karakterizohet nga një ton më meditativ, ku ndjenja e dashurisë ndërthuret me kujtesën, besimin dhe pritjen.
Poezia “Ku ishe, syn?”, ndërtohet mbi figurën e pyetjes retorike. Përsëritja e vazhdueshme e pyetjes “Ku ishe?”, nuk kërkon një përgjigje konkrete, por shpreh ndjenjën e mungesës dhe të kërkimit ekzistencial. Kërkimi nuk zhvillohet vetëm në hapësirë, por edhe në kohë, në kujtesë dhe në vetëdije. Dashuria paraqitet si një prani që ka ekzistuar gjithmonë, edhe para se të bëhej reale.
Dhe, lirshëm mund të themi se një nga poezitë më të realizuara artistikisht është “T’kam kërkue”. Struktura e saj përsëritëse i ngjan një litani poetik, ku subjekti lirik rrëfen kërkimin e pafund të personit të dashur në natyrë, në libra, në kujtime dhe në vetvete. Përsëritja e vargut “T’kam kërkue” krijon ritëm emocional dhe e shndërron kërkimin në simbol të vetë ekzistencës njerëzore. Dashuria nuk paraqitet si rastësi, por si një proces i gjatë i formimit shpirtëror.
Në poezinë “Trup që flet”, poetesha zhvillon një nga idetë më të fuqishme të librit. Trupi nuk është më vetëm hapësira ku banon njeriu, por bëhet një gjuhë që flet vetvetiu. Pas përvojës së dashurisë, trupi fiton vetëdije dhe shpreh atë që mendja nuk mund ta artikulojë. Ky bashkim ndërmjet trupit dhe shpirtit është një nga temat qendrore të përmbledhjes.
Një rëndësi të veçantë ka edhe poezia “T’duem”, ku poetja ndërton një portret shumëdimensional të gruas. Ajo paraqet brenda vetes vajzën e re, nënën, të mbijetuarën, dashnoren dhe gruan e fortë. Këto figura nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë harmonishëm. Përmes këtij shumëzimi identitetesh, gruaja shfaqet si një qenie komplekse dhe universale. Kjo poezi mund të lexohet edhe si një manifest i femrës moderne, e cila nuk pranon të reduktohet në një rol të vetëm shoqëror.
-T’fjetunat
Në ciklin “T’fjetunat”, vërehet një ndryshim i dukshëm i tonit poetik. Pasioni zëvendësohet nga meditimi filozofik. Poezitë bëhen më të shkurtra, më përmbledhëse dhe më aforistike, duke i ngjarë shpesh reflektimeve mbi kohën dhe ekzistencën. Poezia “E tashmja”, trajton kalueshmërinë e kohës. Poetja e paraqet të tashmen si diçka që zhduket në çastin kur lind. Koha rrëshqet pa u ndalur dhe njeriu mbetet gjithmonë me pengun e asaj që nuk arriti të jetojë. Ky reflektim lidhet me filozofinë ekzistencialiste, sipas së cilës njeriu jeton vazhdimisht ndërmjet kujtesës dhe pritjes.
Në poezinë “Ditët”, autorja trajton nevojën për qetësi shpirtërore. Pas gjithë intensitetit emocional të cikleve të mëparshme, subjekti lirik ndien nevojën të çlirohet nga mendimet dhe arsyetimet. Kjo poezi paraqet pushimin si një formë të pajtimit me vetveten.
Ndërsa poezia “Netët”, na sjell një atmosferë ankthi dhe pagjumësie. Nata nuk është vetëm periudhë kohore, por hapësirë ku rikthehen kujtimet, frikërat dhe dhimbjet. Personifikimi i natës dhe metaforat e errësirës krijojnë një atmosferë dramatike që pasqyron konfliktin e brendshëm të subjektit lirik. E, në poezinë “Momenti”, autorja flet për çastin e vetëdijes së plotë. Njeriu arrin ta shohë realitetin pa iluzione dhe pa idealizime. Kjo poezi përmbledh një nga mesazhet filozofike të librit: pjekuria lind kur njeriu pranon të vërtetën, edhe kur ajo është e dhimbshme.
-T’heshtunat
Cikli “T’heshtunat”, është cikli i mungesës, i kujtesës dhe i dhimbjes. Në këto poezi dashuria nuk përjetohet më si prani, por si mungesë që vazhdon të jetojë brenda kujtesës. Në poezinë “Yjet nën lëkurë”, poetesha përdor një metaforë shumë të bukur për kujtesën trupore. Prekjet e dashurisë mbeten të gdhendura nën lëkurë dhe vazhdojnë të ndriçojnë si yje edhe pasi gjithçka ka përfunduar. Kjo figurë poetike tregon se kujtesa nuk është vetëm mendore, por edhe fizike.
Një nga poezitë më prekëse të këtij cikli është “Baj me t’harrue… por, qysh?”. Subjekti lirik përpiqet ta fshijë të dashurin nga kujtesa, por e kupton se kjo është e pamundur. Edhe pse e ka “vrarë”, “varrosur” dhe “bërë hi”, ai vazhdon të jetojë si një ofshamë e pashuar. Kjo poezi shpreh idenë se dashuria e vërtetë nuk zhduket, por bëhet pjesë e qenies njerëzore.
Në poezinë “Qyteti s’t’lëshon”, qyteti personifikohet dhe merr rolin e kujtesës kolektive. Rrugët, muret dhe dritaret ruajnë gjurmët e njerëzve dhe të historive të tyre. Qyteti bëhet dëshmitar i dashurisë dhe i dhimbjes, duke treguar se kujtesa nuk jeton vetëm tek individi, por edhe në hapësirën ku ai ka jetuar.
Poezia “Dashnia t’luen mendsh”, është kulmi emocional i këtij cikli. Këtu dashuria paraqitet si një forcë që e çrregullon arsyen dhe e zhyt njeriun në kujtime të pashlyeshme. Ritmi i vrullshëm, metaforat dhe përsëritjet e bëjnë këtë një nga tekstet më dramatike të përmbledhjes.
–Poezia e kujtesës historike
Një vend të rëndësishëm në libër zë poezia e gjatë që fillon me vargun “U rritëm me libra, kureshtje e dyshime…”. Kjo poezi dallon nga pjesa tjetër e përmbledhjes sepse zgjeron perspektivën nga përvoja individuale drejt historisë kolektive. Donika e përshkruan brezin e saj, i cili u formua mes rrëzimit të sistemeve politike, luftërave, ndryshimeve shoqërore dhe tranzicionit demokratik. Referencat ndaj Murit të Berlinit, Jugosllavisë, luftës së Kosovës dhe shoqërisë së konsumit e bëjnë këtë poezi një reflektim mbi historinë moderne.
Në pjesën e fundit të poezisë shfaqet një kritikë ndaj botës digjitale, ku marrëdhëniet njerëzore janë bërë sipërfaqësore. Vargjet që flasin për “like”, “follow” dhe, kulturën e konsumit tregojnë se autorja nuk e sheh teknologjinë si përparim absolut, por si një sfidë për autenticitetin njerëzor.
Kjo poezi krijon një urë ndërmjet historisë personale dhe historisë kombëtare, duke dëshmuar se identiteti individual formohet gjithmonë në marrëdhënie me kohën historike.

– Grue prej zjermi
Cikli i fundit, që mban edhe titullin e përmbledhjes, përfaqëson kulmin ideor dhe artistik të veprës. Pas rrugëtimit nëpër dashuri, mungesë, kujtesë dhe reflektim, subjekti lirik arrin në vetëdijësimin e plotë për identitetin e vet. Gruaja nuk përkufizohet më nga marrëdhënia me tjetrin, por nga forca e saj e brendshme. Pikërisht këtu metafora e zjarrit fiton kuptimin e saj të plotë: zjarri është pasion, energji krijuese, fuqi shkatërruese, por edhe rilindje.
Në poezinë “Grue prej zjermi”, poetesha Donika Dabishevci, ndërton figurën e një gruaje që sfidon çdo kufi. Ajo nuk është më figura tradicionale e gruas së nënshtruar, por një subjekt aktiv, që zgjedh, vepron dhe krijon vetë fatin e saj. Vargjet: “Jam grue që nuk njeh kufi. Jam egërsinë që nuk zbutet.” janë një deklaratë e qartë identitare. Mohimi i kufijve nuk lidhet vetëm me marrëdhënien dashurore, por edhe me lirinë intelektuale dhe shoqërore të gruas. Përmes përsëritjes së foljes “jam”, poetja ndërton një ritëm afirmues që e shndërron poezinë në një manifest të vetëdijes femërore.
Një nga simbolet kryesore të poezisë është hiri, i cili lidhet me mitin e Feniksit. Subjekti lirik digjet, shkatërrohet, por rilind vazhdimisht: “E prej hini çohem prapë/ Ma e randë/ Ma e thellë./ Ma e etun.” Kjo figurë shpreh idenë se vuajtja nuk e dobëson njeriun, por e forcon dhe e bën më të vetëdijshëm për vetveten.
Po aq e rëndësishme është poezia “E lirë”, e cila përfaqëson një nga tekstet më të fuqishme të emancipimit femëror në poezinë bashkëkohore shqipe. Autorja rendit etiketimet që shoqëria patriarkale ia ka vendosur gruas së pavarur: “e çmendur”, “e paturp”, “kurvë”. Mirëpo, në vend që t’i mohojë këto etiketime, ajo i përballon dhe i çarmatos ato me krenari. Kulmi i poezisë arrihet në vargjet: “Me thonj kam çelë udhë kur m’janë mshelë…” Kjo metaforë sintetizon gjithë filozofinë e autores: liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, rezistencë dhe sakrificë.
Në këtë cikël vihet re edhe gjuha më e drejtpërdrejtë e gjithë përmbledhjes. Figura poetike mbetet e pasur, por vargu bëhet më deklarativ, më sfidues dhe më afër manifestit letrar.
Kështu përmbledhja “Grue prej zjermi” e poeteshës Donika Dabishevci, dallohet për një sërë veçorish stilistike dhe artistike që e bëjnë një vepër të rëndësishme në poezinë bashkëkohore shqipe. Një ndër tiparet kryesore është simbolika. Zjarri, uji, nata, hëna, qyteti, trupi, kujtesa dhe heshtja nuk mbeten elemente të zakonshme, por shndërrohen në simbole të përvojës njerëzore. Sidomos simboli i zjarrit përshkon të gjithë librin dhe merr kuptime të shumëfishta: pasion, dashuri, shkatërrim, pastrim dhe rilindje.
Një tjetër element i rëndësishëm është përsëritja. Shprehjet, si: “syn”, “t’kam kërkue”, “a m’do?”, “jam grue”, “t’jam dorëzue”, krijojnë një ritëm të brendshëm dhe një efekt emocional të fuqishëm. Përsëritja nuk ka funksion vetëm estetik, por edhe semantik, pasi thekson idetë kryesore të autores.
Vepra karakterizohet gjithashtu nga përdorimi i metaforave trupore. Trupi nuk është vetëm realitet biologjik; ai është gjuhë, kujtesë dhe vend ku shkruhet historia e dashurisë. Në këtë aspekt, autorja e trajton trupin si një tekst poetik.
Një rëndësi të veçantë ka edhe gjuha poetike. Përdorimi i gegërishtes i jep poezisë natyrshmëri, ritëm dhe muzikalitet. Fjalët dialektore nuk krijojnë distancë me lexuesin, por e afrojnë atë me botën emocionale të subjektit lirik.
Nga pikëpamja kompozicionale, përmbledhja është ndërtuar me një logjikë të brendshme shumë të qëndrueshme. Çdo cikël përfaqëson një etapë të ndryshme të udhëtimit emocional, ndërsa i gjithë libri mund të lexohet si një poemë e gjatë kushtuar dashurisë, identitetit dhe lirisë.
Përfundim
Përmbledhja poetike “Grue prej zjermi” e poetes Donika Dabishevci, përfaqëson një nga realizimet më të rëndësishme të poezisë bashkëkohore shqipe. Ajo ndërthur në mënyrë harmonike lirizmin intim me reflektimin filozofik, historik dhe shoqëror, duke ndërtuar një univers poetik me identitet të qartë estetik.
Në qendër të veprës qëndron figura e gruas, e cila largohet nga modelet tradicionale të letërsisë dhe paraqitet si subjekt i lirë, aktiv dhe krijues. Dashuria nuk trajtohet si ndjenjë sentimentale, por si përvojë transformuese që ndryshon mënyrën e të menduarit, të jetuarit dhe të perceptuarit të botës. Përmes kësaj dashurie gruaja zbulon veten, përballet me mungesën, sfidon paragjykimet dhe arrin lirinë shpirtërore.
Në aspektin artistik, përmbledhja shquhet për figuracionin e pasur, metaforat origjinale, simbolikën e shumëfishtë, ritmin e brendshëm dhe përdorimin mjeshtëror të gegërishtes. Ndërtimi në cikle poetike krijon një vazhdimësi narrative që e bën librin të lexohet si një rrugëtim emocional dhe filozofik. Çdo cikël paraqet një etapë të ndryshme të këtij udhëtimi: lindjen e dashurisë, përjetimin e saj, kujtesën, mungesën, reflektimin dhe, në fund, afirmimin e identitetit të gruas.
Njëkohësisht, autorja e zgjeron poezinë intime drejt historisë kolektive, duke dëshmuar se përvoja personale nuk mund të shkëputet nga koha historike dhe nga realiteti shoqëror. Kjo ndërthurje e intimes me universalen është një nga arritjet më të mëdha të librit.
Në përfundim lirshëm mund të themi se përmbledhja poetike “Grue prej zjermi”, nuk është vetëm një përmbledhje poezish dashurie. Ajo është një reflektim mbi qenien njerëzore, mbi kujtesën, kohën, trupin, lirinë dhe fuqinë transformuese të dashurisë. Me këtë vepër poetike, poetesha Donika Dabishevci, dëshmon një individualitet të spikatur krijues dhe zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e poezisë shqipe bashkëkohore.
ObserverKult
Lexo edhe:
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit në librin “Grue prej zjermi”
Mërgim Bekteshi: Arkitektura poetike e qenies te libri “Grue prej zjermi”
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë






