
Nga: Blerim Valla
Në kuadër të Festivalit “Ditët e Shqiptarit” edicioni i 3 – të u promovua libri “Fallxhorja” i poetes Blerina Rogova Gaxha.
U lexuan poezi nga libri dhe u zhvillua një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë e interaktiv mes autores Rogova – Gaxha dhe profesoreshës së letërsisë Teuta Lama – Hoda, në prani të publikut të shumtë në ambientet e “Parkut Kulturor Ali Podrimja” në Gjakovë. Përndryshe libri “Fallxhorja” është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books” me seli në Prishtinë.
Prof. Lama – Hoda fillimisht theksoi se poete si Blerina janë vlerë e shtuar për letërsinë shqipe dhe se është kënaqësi të bashkëbisedojmë sonte me një zë të fuqishëm poetik që e kthen poezinë në jetë dhe jetën në poezi. Ajo në bashkëbisedim me autoren e librit në fjalë theksoi mes tjerash se: “Tek Fallxhorja pashë një udhëtim që nis nga shtëpia dhe vazhdon drejt njeriut. Poezitë na ndalin te kujtimet, te identiteti, te pozita e gruas dhe e burrit, te dashuria, te fati dhe te gjithçka që na formëson. Është një libër ku secili lexues mund të gjejë një pjesë të vetes, sepse çdo poezi hap një temë, ndërsa çdo varg të fton të reflektosh. Poezi që të ftojnë t’i lexosh ngadalë, sepse pas çdo vargu hapet një shtresë tjetër kuptimi. Pikërisht kjo e bën një libër që vazhdon të jetojë edhe pasi e ke mbyllur. Besoj se secili lexues do të gjejë një këndvështrim të vetin brenda këtyre poezive. Për mua, kjo është vlera më e madhe e librit “Fallxhorja”. Ai të fton të reflektosh pa të imponuar asnjë përfundim. Poezia e Blerinës kërkon kohë, sepse të rikthen vazhdimisht te vetja dhe te përvojat e tuaja” – vlerësoi Lama – Hoda në fund.
Libri “Fallxhorja” trajton jetën që vëzhgohet ngadalë dhe i kushtohet veçanërisht botës së grave. Dhe ndërtohet mbi motive të përditshmërisë si fëmijët, nënat, gjyshet, qëndismat, kafja dhe veshjet, ku falli përdoret si një metaforë e fatit.
Autorja universin e saj poetik në libër e pasuron me ilustrime të veçanta dhe veçohet për gërshetimin e kujtesës historike e shpirtërore të gruas. Libri funksionon si një manifest kundër shpejtësisë moderne, duke propozuar ngadalësinë si mjet për të gjetur hapësirën e shpirtit.
Në librin “Fallxhorja” personazhi i fallxhores nuk trajtohet si figurë e thjeshtë paragjykimesh, por si një arketip i gruas shqiptare. Ajo bart me vete fatin, ëndrrat e realizuara dhe të parealizuara nga e kaluara deri më sot. Libri vjen si një ftesë e hapur për ta vëzhguar jetën ngadalë. Ai krijon një oazë reflektimi larg ritmit dinamik të përditshmërisë.
Poezia e Blerinës udhëton thellë në memorien historike e shpirtërore të gruas. Ajo lidh përjetimet intime të saja me përjetimet kolektive të brezave (nënës, gjyshes, fëmijëve etj).
Libri ndërtohet mbi motive të thjeshta e shtëpiake si kafja, qëndismat, lulet, veshjet dhe penjtë. Këto elemente kthehen në simbole të fuqishme ekzistenciale.
Tek disa poezi të librit “Fallxhorja” të Blerina Rogova Gaxha falli këtu nuk shihet si fall, por si një metaforë e fuqishme e fatit të paracaktuar ose të ndërtuar nga vetë gratë përgjatë historisë. Universi poetik i librit pasurohet me ilustrime specifike dhe ndryshime të fontit. Penjtë dhe qëndismat përdoren si mjete stilistike – si simbolizma për të treguar thurjen e jetës, lidhjen mes brezave dhe durimin e gjatë femëror.
Autorja përdor një gjuhë të pastër dhe plot ndjeshmëri, ku objektet e zakonshme (si një filxhan kafeje apo një lule) fitojnë përmasa kozmike dhe lirike.
Ilustrimet dhe bashkëpunimi me shtëpinë botuese Bard Books ka luajtur një rol vendimtar në mënyrën se si vëllimi poetik “Fallxhorja” i Blerina Rogova Gaxhës komunikon me lexuesin, sepse iustrimet në këtë libër, nuk janë thjesht dekorative, por ndihmojnë në krijimin e një atmosfere intime dhe mistike, duke vizualizuar motivet kryesore të librit si qëndismat, filxhanët e kafesë, penjtë dhe figurën e gruas.
Pamjet vizuale përforcojnë konceptin kryesor të librit: krijimin e një hapësire të qetë larg kaosit dhe shpejtësisë së jetës moderne.
Veprat poetike të autores: ” Gorgonë”, “Ajo vjen nga Lindja”,” Kate”, “Thasë” dhe” Fallxhorja”.
Studimet monografike dhe Kritika letrare: “Format e prozës së Kadaresë” (2015), “Vdekja në letërsinë moderne shqipe: Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli” (2021), “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letërsinë shqipe në Kosovë”.
Çmimet letrare: “Çmimi Din Mehmeti” në Mitingun e Poezisë në Gjakovë për librin “Gorgonë”( 2010), Crystal Vilenica Award (2015, Slloveni): Çmim prestigjioz ndërkombëtar nga Asocacioni i Shkrimtarëve Sllovenë, Çmimi Kombëtar “Ali Podrimja” (2020): Për librin më të mirë në poezi (“Thasë”), ndarë nga Ministria e Kulturës, Çmimi Kombëtar “Ibrahim Rugova” (2021): Për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë. ” Memorie dhe traumë” etj.
Poezitë dhe esetë e saj janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të huaja si gjermanisht, anglisht, frëngjisht, sllovenisht, kroatisht…
ObserverKult










