
Me The End of Everything, M. John Harrison e shndërron fundin e botës në një pasqyrë të së tashmes: një roman për kujtesën, frikën, artin dhe përpjekjen për të jetuar kur kuptimi i botës ka marrë fund.
Nga Elvin Blakaj
Ka fitore letrare që të befasojnë me emrin e fituesit; të tjera, sepse të detyrojnë të rishikosh kufijtë e vetë letërsisë. Fitorja e The End of Everything nga M. John Harrison në Booker Prize 2026 i përket kategorisë së dytë. E pranoj: nuk besoja se do ta fitonte. Jo sepse romani nuk e meritonte, por sepse fantashkenca rrallë merr vlerësimin më të lartë të institucioneve të letërsisë së përgjithshme. Në imagjinatën e shumë lexuesve, ajo ende qëndron në një dhomë më vete, mes anijeve kozmike, qytetërimeve të largëta dhe të ardhmeve të pamundura. Harrison e fiton Booker-in duke dëshmuar se kjo ndarje është gjithnjë e më pak e qëndrueshme. Gara e këtij viti dukej se po shkonte në një drejtim tjetër. Në listën e ngushtë ishin The End of Everything, The Disappearers i Marlon James, Black Bag i Luke Kennard, May We Feed the King i Rebecca Perry, The Things We Never Say i Elizabeth Strout dhe John of John i Douglas Stuart. Përpara ceremonisë, The Disappearers kryesonte bastet, me Jamesin si favorit të tregut të William Hill. Por juria zgjodhi Harrisonin, një shkrimtar 81-vjeçar, me një karrierë letrare që shtrihet në gjashtë dekada. Ai u bë autori më i moshuar që e ka fituar çmimin. Është një rezultat që jo vetëm i jep një çmim të rëndësishëm një shkrimtari veteran, por edhe i hap më shumë hapësirë një zhanri që për shumë kohë është mbajtur në periferi të letërsisë së kanonizuar.
Romani na çon në bregdetin e Kentit, në një të ardhme aq pranë së tashmes sa nuk na qetëson. Ka ndodhur një katastrofë, por askush nuk di ta përshkruajë saktësisht. Shteti funksionon në fragmente; rrugët kontrollohen nga grupe të armatosura, qytetet janë peizazhe të braktisura dhe Evropa duket sikur është zhvendosur nga harta. Në det dalin krijesa dhe objekte të panjohura. Në vend të një shpjegimi të rregullt për apokalipsin, Harrison na fut në jetën e njerëzve që duhet të vazhdojnë brenda tij. Në qendër është Phillip Tennent, mbledhës i objekteve që deti nxjerr në breg. Ai endet mes kasolleve të improvizuara të mbledhësve, tregtarëve dhe mbetjeve të një qytetërimi që nuk është zhdukur plotësisht, por ka humbur arsyen e vet. Një ditë gjen një artefakt të pazakontë: fillimisht një masë të mbështjellë me lecka, pastaj një krijesë që rritet, rigjenerohet dhe nis të flasë me një pafajësi të çuditshme. Phillip e merr me vete, pjesërisht nga kurioziteti, pjesërisht nga një instinkt mbrojtës. Krijesa bëhet shoqëruesja e tij e pazakontë dhe një mënyrë përmes së cilës romani pyet çfarë e ndan njeriun nga ajo që nuk njeh.
Por personazhi që i jep librit peshën më të veçantë është Marnie, tezja e moshuar e Phillipit, piktore, me kujtesë të pasigurt dhe kokëfortësi të papërkulur. Ajo jeton në një shtëpi pranë detit, nën hijen e një aeroplani të rrëzuar, dhe përpiqet të ruajë zakone të vogla: të hajë, të kujdeset për shtëpinë, të vëzhgojë dritën dhe të mendojë për artin. Kujtesa i lëviz si baticë-zbaticë; ndonjëherë nuk di nëse një zë apo një kujtim i përket realitetit. Megjithatë, Marnie nuk është një figurë e brishtë që pret të shpëtohet. Ajo është ironike, e rrezikshme, e paparashikueshme dhe, në mënyrën e saj, më e aftë se të tjerët për ta pranuar se bota nuk ka më shpjegime të besueshme.
Marrëdhënia e saj me Phillipin zbulohet gradualisht përmes letrave që ajo i ka shkruar ndër vite. Këto fragmente janë ndër pjesët më të bukura të romanit, sepse na tregojnë një afërsi që nuk ka qenë kurrë plotësisht e lehtë: dashuri, kujdes, keqkuptime dhe një distancë që koha nuk e ka zgjidhur. Në njërën prej tyre, Marnie e këshillon Phillipin të mos lejojë që zgjuarsia ta kthejë në një vëzhgues të jetës. Është një fjali që merr kuptim më të madh kur e shohim atë duke u përpjekur të kuptojë katastrofën, deri në pikën kur dëshira për ta shpjeguar botën shndërrohet në barrë. Edhe titulli i një prej punimeve të Marnie-t, “How Can You Misplace a Continent”, bëhet një metaforë e jashtëzakonshme për një botë ku mund të humbasësh jo vetëm një vend, por edhe orientimin, kujtesën dhe sigurinë se çfarë është reale.
Harrison e ndërton romanin me kapituj të shkurtër, pothuajse filmikë, por jo si aventurë apokaliptike lineare. Rrëfimi ndërpritet nga letra, shënime, kujtime dhe fragmente ditari. Këto nuk janë thjesht zbukurime stilistike: janë vetë mënyra si funksionon një botë ku e vërteta e ka humbur vazhdimësinë. Një ngjarje shfaqet në disa versione, një kujtim përzihet me një përvojë të tanishme, ndërsa një dokument duket sikur ndriçon misterin vetëm për ta bërë edhe më të paqartë. Lexuesi nuk merr një hartë të plotë; merr copëza që duhet t’i mbajë bashkë. Kështu, nuk na tregohet vetëm një botë ku realiteti është shpërbërë: edhe vetë forma e romanit na detyron ta përjetojmë atë çorientim. Këtu hyjnë iGhetti-t, entitetet misterioze që kishin depërtuar në botën njerëzore shumë përpara se katastrofa të bëhej e dukshme. Shfaqjet e tyre bëhen më të përcaktuara që nga fillimi i viteve 1980, fillimisht si një lloj xheli i tejdukshëm, pastaj në forma gjithnjë e më të çuditshme. A janë pushtues, pasoja të një eksperimenti, qenie nga një plan tjetër i ekzistencës apo shfaqje e diçkaje që njerëzit nuk kanë mjetet ta kuptojnë? Harrison ofron teori të ndryshme, por asnjërën nuk e shndërron në përgjigje përfundimtare. Kjo paqartësi është thelbi i librit. Ai nuk shkruan për një pushtim që mund të mposhtet, por për krizën e vetë aftësisë sonë për të kuptuar çfarë po ndodh. Në një moment, edhe mundësia që iGhetti-t të jenë thjesht një lloj mirazhi, një riformësim i realitetit që nuk arrijmë ta shohim, bëhet pjesë e enigmës.
Kjo e bën romanin shumë më aktual nga sa premton fasada fantastiko-shkencore. Në sfond ndihen kriza financiare, militarizimi, tregu që e kthen çdo gjë në mall, institucionet që prodhojnë projekte edhe kur nuk dinë më çfarë po ndërtojnë, si dhe kultura që shet imazhe të bukura mbi rrënoja. Harrison ka treguar se një nga pikënisjet e romanit ishte kriza financiare e vitit 2008 dhe dëshira për të shkruar mbi dështimin e shpjegimeve në shoqëri. Kjo ndihet në satirën e tij të thatë: njerëzit vazhdojnë të pinë kafe, të kërkojnë bukë, të organizojnë festa dhe të diskutojnë artin, ndërkohë që realiteti u është shpërbërë nën këmbë. Katastrofa nuk ua heq zakonet; vetëm ua zbulon zbrazëtinë. Për mua, një nga fijet më të forta është mënyra si romani e trajton humbjen. Kur Phillip vdes, Marnie mbetet përballë një krijese që, në një formë të çuditshme, i ngjan atij dhe që mund t’i ofrojë një version të tij. Por ngjashmëria nuk është rikthim. Marnie e kupton se as kujtesa, as teknologjia e panjohur, as dëshira për të mos humbur dikë nuk mund ta kthejnë njeriun që ka dashur. “Ti nuk je ai” bëhet më shumë se refuzim i një imitimi: është pranim i dhimbshëm se dashuria nuk mund ta anulojë vdekjen dhe as ta zëvendësojë njeriun me një kopje që di fjalët e duhura.
Pse mendoj se fitoi Booker-in? Së pari, sepse Harrison e përdor fantashkencën jo si arratisje, por si mënyrë për ta parë të tashmen nga një distancë e re. Kryetarja e jurisë, Mary Beard, e përshkroi romanin si “politikën e së tashmes parë përmes lentes së së ardhmes”. Së dyti, sepse forma e tij është e pandashme nga ideja: fragmentimi, kujtimet e pasigurta dhe mungesa e një përgjigjeje përfundimtare e bëjnë lexuesin të përjetojë krizën, jo vetëm ta lexojë atë. Së treti, sepse Harrison ka një zë letrar të dallueshëm. Proza e tij është e dendur, vizuale, herë-herë e bukur deri në shqetësim, por nuk e humb aftësinë për të qenë qesharake. Dhe, mbi të gjitha, ai nuk e nënvlerëson lexuesin. Nuk i shpjegon çdo mister dhe nuk i mbyll çdo derë.
Fitorja vjen në një moment kur fantashkenca po përjeton një rilindje të dukshme edhe përtej lexuesve tradicionalë të zhanrit. Në vitet e fundit kemi parë romane si The Mountain in the Sea i Ray Nayler (2022), që eksploron inteligjencën jo-njerëzore përmes një specieje oktapodësh; The Terraformers i Annalee Newitz (2023), që përdor terraformimin për të folur për ekologjinë, shoqërinë dhe të ardhmen; dhe In Ascension i Martin MacInnes (2023), ku një zbulim në thellësitë e oqeanit e çon rrëfimin drejt pyetjeve mbi origjinën e jetës dhe vetë kozmosin. Edhe Orbital i Samantha Harvey, botuar më 2023 dhe fitues i Booker-it 2024, tregoi se një roman që zhvillohet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor mund të gjejë vend në qendër të letërsisë bashkëkohore. Harvey e përshkroi atë si një lloj “nature writing” për hapësirën, ndërsa Harrison vjen me një fantashkencë shumë më të drejtpërdrejtë dhe sfiduese. Këta shembuj dëshmojnë se zhanri po përdoret gjithnjë e më shumë për pyetje filozofike, politike dhe ekologjike.
Në këtë hartë, Liu Cixin mbetet një emër kyç. Trilogjia Remembrance of Earth’s Past, e nisur me The Three-Body Problem, nuk është vepër e pesë viteve të fundit: romani i parë u botua fillimisht në Kinë më 2006 dhe u përkthye në anglisht më 2014. Por suksesi i tij ndërkombëtar ndihmoi që fantashkenca kineze të fitojë një audiencë shumë më të gjerë dhe e mësoi një brez lexuesish ta mendojnë njerëzimin në shkallë kozmike. Përmbledhja A View from the Stars (2024), me tregime dhe ese nga periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij, e rikthen këtë univers te lexuesit e sotëm. Liu na vendos përballë madhësisë së universit; Harrison bën të kundërtën, duke e kthyer katastrofën kozmike në detajet e një shtëpie, një bregu dhe një familjeje. Të dy tregojnë se fantashkenca bëhet e madhe kur pyet çfarë do të thotë të jesh njeri brenda universit. Ndoshta kjo është arsyeja pse fitorja e Harrisonit më duket më shumë se befasi. Është një korrigjim i paragjykimit se një roman mund të jetë ose fantashkencë, ose letërsi e madhe. The End of Everything i refuzon këto ndarje pa zhurmë. Në faqet e fundit, Marnie shpërndan hirin e Phillipit, ndërsa era ia kthen një pjesë të tij, sikur edhe deti të mos jetë i gatshëm ta lërë të shkojë. Ajo vazhdon të kërkojë qenin Andrew, ndonëse e di se mund të mos vijë më. Në këtë gjest të vogël, mes kujtesës, humbjes dhe një bote që nuk ofron më siguri, gjendet ndoshta e gjithë filozofia e romanit: mund të mos e kuptojmë kurrë plotësisht çfarë na ka ndodhur, por prapëseprapë duhet të vazhdojmë të kërkojmë, të kujdesemi dhe të jetojmë. Ndoshta ky është fundi i gjithçkaje. Ose, të paktën, mënyra si fillon gjithçka tjetër.
ObserverKult
Lexo edhe:
Elvin Blakaj: Kur koha hesht mes faqeve: si një histori e mirë ndryshon përjetimin tonë të kohës






