reklamë

“Hasmi”, poezi nga Arti Lushi

Për hasmin më kish folur gjerë e gjatë daja,
Sidomos pasi kthente ca gota.
Sipas dajës ai mishëronte gjithë te zezat e njeriut
Dhe Gjaku ynë, kurrë prehje s’do gjente
Gjersa drejtësia të vihej në vend.

Duke u rritur dhe duke kthyer ndonjë gotë edhe unë,
Babaxhanë dhe njerëz të drejtë,
Ma ftilluan si qe puna në të vërtetë:
Një incident;
Dhe po citoj “Është si të fajësosh fluturën në tylin e perdes për rezultatin e zgjedhjeve në Ruanda”

Me hasmin u shkëmbeva në shkallët lëvizëse
Të një qëndre tregtare,
Në një tjetër kontinent.

Vajza e vogël e tërhiqte nga pantallonat kaki
Me një akullore në dorë
Dhe gruaja pas, e zhytur në telefonin inteligjent.

M’u duk mjeran dhe i keqvendosur
Në kohë dhe në hapësirë.
Dhe mu aty vendosa ta fal.

Në altoparlant u dëgjua emri i një punojëse
Që të paraqitej diku
Dhe unë mallkova veten se për 8 minuta
Më duhet të paguaja më tepër
Për parkimin e makinës.

ObserverKult


Lexo edhe:


“Mbjellja dhe korrja”, tregim nga Arti Lushi