
Akademik Bahri Beci, gjuhëtar me kontribute në fushën e dialektologjisë dhe fonetikës, u nda nga jeta më 20 gusht 2023. Ai u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare, në vitin 1958, u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori, drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.
Me synimin për formimin e një brezi të ri studiuesish, akad. Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra / “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”. Më pas, pas kthimit në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin Të folmet e gegërishtes qendrore dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës.
Veprimtaria universitare e tij u shtri në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO). Akad. Bahri Beci ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar i redaksisë së Atlas Linguarum Europae (ALE).
Fusha kryesore e veprimtarisë së tij shkencore-kërkimore ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike, vend qendror zënë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).
Akademik Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike, ai ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.
Me veprën dhe kontributin e tij shkencor, akad. Bahri Beci mbetet një nga emrat e rëndësishëm të gjuhësisë shqiptare bashkëkohore dhe një studiues që la gjurmë të qëndrueshme në studimet dialektologjike dhe fonetike.
ObserverKult






