reklamë

Korça e vjetër, ekspozohen për herë të parë fotografitë e qytetit të viteve ’20-të dhe ’30-të të shekullit të kaluar (Video)

Traditat e vjetra korçare, veshjet dhe zakonet pasqyrohen në fotografitë e shkrepura në vitet ’20-’30 nga fotografët Vani Burda dhe Thimi Raci.

Ata janë ndër fotografët e parë të shekullit XX që dokumentuan përmes objektivit jetën shoqërore, kulturore dhe politike të Shqipërisë juglindore.

“Të dy fotografët sollën një ritëm tjetër të fotografisë në Shqipëri dhe ia dolën që të lënë gjurmë të pashlyera dhe të ruhen sot në fototekën e Arkivit Qendror. Fotografët u kushtuan rëndësi jetës së thjeshtë, jetës urbane dhe çasteve që falë fotografimit, i bënë pjesë të kujtesës kolektive”, tha specialistja Olta Gasa.

Rreth 10 mijë fotografi të Burdës dhe Racit janë pjesë e Fototekës të Drejtorisë së Arkivave, disa prej tyre u ekspozuan së fundi në Parkun Rinia në Tiranë dhe tërhoqën vëmendjen veçanërisht të fëmijëve, që u njohën përmes fotografisë me Shqipërinë e një shekulli më parë.

“Janë negativë që i kemi kthyer në pozitivë. I kemi nxjerrë për herë të parë sot për publikun. Ka fotografi të jetës shoqërore, sociale të shqiptarëve të asaj kohe, kryesisht momente nga dasma apo fotografi familjare”, tha zv. drejtori i përgjithshëm i arkivave, Endri Musai.

Ekspozita u hap në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë, që ndër të tjera nderon artistët që rrëfejnë histori përmes objektivit dhe ruajnë kujtesën kombëtare./tch

ObserverKult


Lexo edhe:

 Festivali “Akordet e Kosovës”, synon të lidhë traditën e pasur të festivalit me skenën bashkëkohore muzikore