
Kalaja e Elbasanit nuk është vetëm një monument kulture, por një zonë e banuar me banesa, prona private, biznese dhe aktivitete kulturore. Projekti “Rivitalizimi i Kalasë së Elbasanit” është në fazën e koncept-idesë dhe konsultimit publik dhe po hartohet nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe studio arkitekturore ndërkombëtare.
Projekti synon rikualifikimin e zonës historike përmes ndërhyrjeve në trashëgimi, hapësira publike dhe funksione kulturore, por në këtë fazë ka sjellë pyetje nga banorët për mënyrën se si do të ndikojë te pronat dhe jeta e përditshme e lagjes.
Një nga banorët që ka ngritur shqetësime për ndërhyrjet e parashikuara është Vladimir Caridha, skulptor dhe banor i lagjes “Kala“. Për Caridhën, debati nuk lidhet vetëm me një pronë private, por me mënyrën se si konceptohet ndërhyrja në një zonë historike ku bashkëjetojnë trashëgimia dhe jeta e banorëve.
“Ideja e projektit, rivitalizimi, për mua, merret vetëm me estetikën sipërfaqësore të objekteve, jo me thelbin e tyre, me shpronësime në interes të të tjerëve”, u shpreh Caridha për Amforën.
Sipas tij, ndërhyrja nuk duhet të kufizohet te ndryshimi i pamjes së zonës, por duhet të ruajë marrëdhënien mes historisë, strukturave ekzistuese dhe karakterit të lagjes.
“Të evidentosh Burgun dhe pastaj ta mbulosh? Të prishësh e të ndërtosh beton, që nuk ka lidhje estetike me asgjë në lagje”, tha artisti 66-vjeçar.
Që në dëgjesën e parë publike të zhvilluar më 24 qershor, debati u përqendrua te mënyra se si ndërhyrjet e propozuara do të ndikojnë në karakterin e një zone historike të banuar.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Valbona Balliu, ngriti shqetësime për mënyrën e trajtimit arkitektonik të projektit dhe përputhjen e tij me identitetin ekzistues të kalasë.
“Projektet 3D janë projekte që i pamë tek parku. Mos harroni dhe një fakt, kalaja është një zonë e banuar”, deklaroi Balliu gjatë dëgjesës publike.
Ajo u ndal edhe te materialet e propozuara për ndërhyrjet e parashikuara, duke vënë në pikëpyetje përputhjen e tyre me karakterin tradicional të zonës.
“Ajo që shohim nga materiali ndërtimor, beton, gur, mermer, ndërkohë që në zonë është prezent guri gëlqeror i trevave të Shqipërisë”, deklaroi Balliu.
Kundërshtimet e shprehura gjatë procesit të konsultimit publik nuk u kufizuan te disa komente individuale, por u shoqëruan me reagime të shumta nga pjesëmarrësit, ku u ngritën shqetësime për mënyrën e ndërhyrjes në një zonë të banuar.
ObserverKult
Lexo edhe:






