reklamë

Nisin gërmimet arkeologjike në Parkun Antik të Antigonesë

Në parkun antik të Antigonesë kanë nisur gërmimet arkeologjike nga ekipi italo-shqiptar, i cili çdo vit zhvillon studime të thelluara shkencore në këtë zonë me rëndësi të veçantë historike. Sipas arkeologëve italianë, parku përbën një interes të madh për shkak të pasurisë së tij kulturore dhe historike, duke e kthyer atë në një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në jug të vendit.

Prej  vitesh, Universiteti i Maceratës, së bashku me Institutin Arkeologjik të Tiranës, po punon në sitin e Antigonesë dhe edhe këtë vit do të jemi këtu për misionin, duke u përqendruar në punën në ndërtesën e shtëpisë nr. 4, pra në pjesën rezidenciale të qytetit, si brenda shtëpisë ashtu edhe në rrugët përreth.”, u shpreh arkeologia Silvia Tiburzi.

Ndërkohë, drejtuesi i parkut, Thoma Basho, thekson se qëllimi kryesor i këtyre gërmimeve është identifikimi dhe zbulimi i monumenteve të tjera të fshehura, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi historinë dhe zhvillimin e këtij qyteti antik. Ai nënvizon se çdo zbulim i ri është një hap i rëndësishëm për njohjen më të thelluar të trashëgimisë kulturore.

Puna do të vazhdojë aty ku është lënë vjet, pasi monumentet që ata kanë zbuluar vitin e kaluar janë të mbuluara me pjesën e mushamasë, për të krijuar një masë sigurie ndaj efekteve të natyrës dhe, le të themi, edhe kafshëve të egra. Do të vazhdojnë sërish te pjesa e Agorasë”, tha Thoma Basho, drejtues.

Gërmimet pritet të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit shtator, ndërsa çdo zbulim i ri dokumentohet me kujdes nga arkeologët. Këto studime do të shërbejnë për pasurimin e mëtejshëm të njohurive mbi Antigonenë dhe për promovimin e saj si një destinacion i rëndësishëm historik dhe turistik./Tema

ObserverKult


Lexo edhe:

Miqtë dhe kolegët përkujtuan Naun Shundin, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta