reklamë

Ndue Dedaj: “Shkrim e këndim” në shekullin XXI

ndue dedaj fjalë artistë

(Në prag të vitit të ri shkollor)

Nga Ndue Dedaj

Analfabetizmi i quajtur funksional është një term i didaktikës moderne, për të na thënë se ky është ndryshe nga ai analfabetizmi i së kaluarës i gjyshërve tanë, që për ta luftuar u hapën kurse e shkolla verore e dimërore, për të gjitha moshat, u bë një revolucion i vërtetë, jo vetëm në vendin tonë, por dhe në Evropë. Shekulli XX nuk e pranonte analfabetizmin, thënë ndryshe mos me ditë njeriu me shkrue e me lexue, por ja që e pranon shekulli XXI!?

Sot jo vetëm që nuk mungojnë shkollat, nxënësit dhe mësuesit për ta luftuar analfabetizmin, por duan të thonë se janë ata që e krijokan këtë analfabetizmin funksional, çka nuk është e vërtetë. Se shoqëria jonë vuan nga kjo gangrenë nuk ka nevojë të na e thotë PISA me raportet e saj të përvitshme, mjafton të shohësh se si shkruajnë njerëzit në rrjetet sociale, me mangësi të theksuara formimi, se si flasin nxënësit në klasë, folësit në tubime, deputetët në parlament, të ftuarit në media.

Por edhe pse “analfabetizmi funksional”, po të shprehemi në mënyrë të figurshme, kalon përmes oborrit të shkollës, ai është rrjedhojë e lënies së shkollës në periferi të zhvillimeve. Nuk ka një politikë racionale ndaj shkollës, mendohet vetëm për formën (fasadën), natyrisht dhe muret dhe aspak për përmbajtjen. Ku i kemi laboratoret, kabinetet mësimore, bibliotekat, terrenet sportive? Si ranë këto bedena të patjerësueshme të shkollës? E vetmja praktikë mësimore që bën shkolla sot është një ditë në vit “gatime tradicionale”!? Por shkollës nuk është e nevojshme t’i vijë era qofte!…

A ka një shpjegim të thjeshtë të këtij termi të ftohtë – analfabetizëm funksional, që sikur të ngec në gojë kur e shqipton? Dhe nuk është i vetmi në ligjërimin e sotëm. Ka kohë që njeriu i zakonshëm mbetet i befasuar nga termat e huaj që hyjnë në përdorim kohë pas kohe, krejt pa nevojë, qoftë ky vetting apo incenerator. Por le të merremi me shpjegimin e këtij analfabetizmit modern, ku “analfabet” është dhe një njeri që përdor telefonin e fundit celular, internetin, hipën në avion e shkon në një shtet tjetër etj.

Ekspertët e arsimit në Tiranë do të na thonë se janë përmirësuar kurrikulat / programet mësimore, tekstet shkollore janë të Kembrixhit e Oksfordit, shkolla jonë synon standardet evropiane, metodat mësimore janë aktive e krijuese etj. S’duam t’i biem mohit asgjëje të mirë që ka ndodhur në sferën e arsimit, por, për t’u ndalur vetëm në një aspekt, atë kombëtar, si t’ia bëjmë që kemi nxënës që dalin nga bangat e shkollës dhe nuk arrijnë të shkruajnë e lexojnë mirë në gjuhën amtare, nuk njohin bazat e historisë e gjeografisë të vendit të tyre, trevat shqiptare, migrimet e shqiptarëve etj. Kemi mbetur prapë tek ai vëzhgimi një shekulli më parë: “Shqiptarë jemi, por Shqipërinë nuk e njohim”! Ky është analfabetizëm fuknsional! Pa folur për tabelën e shumëzimit, çelësin e solit, njohuritë elementare nga bota natyrore etj.

Nuk mundet vetëm shkolla ta zhdukë atë. Shoqëria është shumë me madhe se klasa e mësimit. Mësuesit përballën me sfida të shumta, thuajse të vetëm, pasi dhe prindërit janë “dorëzuar” para adoleshencës së vështirë të fëmijëve të tyre. Interneti të informon, por nuk të formon. Ky është problemi. Me të dhënat e internetit mbetesh gjithmonë i sipërfaqshëm.

Mund ta modernizosh procesin mësimor, ta forcosh sigurinë në shkolla me kamera inteligjente, të bësh mrekullira përmes inteligjencës artificale, po me njeriun, që ai të bëhet inteligjent përmes diturisë, si do t’i bëhet!? Se kemi ardhur në këtë ditë, që të bëjmë thirrje edhe njëherë si para një shekulli: “Shkrim e këndim!” E nëse të tjerët mund të këshillojnë shumëçka, ne do të nënvizonim vetëm një gjë: “Pa lexim të letërsisë artistike dhe të librit në tërësi, kurrë nuk kemi për të shpëtuar nga analfabetizmi, paçka se si do ta quajmë, funksional apo… global!

1 shtator 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Memli Kelmendi: “Siparantum” po dëshmon potencialin artistik të Kosovës