reklamë

Resul Jusufi: A flenë ndonjëherë e Mira dhe e Keqja? Ku banojnë?


Nga Resul Jusufi

Prej disa kohësh i shoh në ëndërr të Mirën dhe të Keqen. Shpesh ma prishin gjumin. Bisedat e tyre janë të zhurmshme – herë histerike, herë të dhunshme; herë aq të çuditshme, sa është e pamundur të kuptosh nëse po grinden apo po kujtojnë diçka që ka ndodhur para se të
lindte njerëzimi.

I shoh në mes të oqeanit, mbi rrënojat e thyera të një anijeje që lëkundet mbi ujë. Pastaj shfaqen në hapësirë, brenda një anijeje kozmike që endet mes yjeve të ftohtë. Përtej xhamit, gjithçka duket pa peshë: koha, trupi, kujtesa. Herë shfaqen në fshatra të braktisura dhe ngasin biçikleta të vjetra, të ndryshkura, nëpër rrugë ku nuk ka mbetur asnjë njeri. Shpesh i shoh duke kalëruar. Njëri kalë është i bardhë, kurse tjetri i zi. Dhe gjithmonë, për arsye që nuk i kuptoj, një dhi u shkon pas. Ajo nuk nxiton, por as nuk mbetet prapa. Sikur ta dinte rrugën më mirë se të dy

Ata vazhdojnë të kalërojnë pa u kthyer pas, sikur të ishin nisur drejt një takimi të lashtë që nuk do të përfundonte kurrë. Ndonjëherë i afrohen njëri-tjetrit me një armiqësi të fshehtë. Afrohen aq shumë me njëri-tjetrin, sa kufiri mes dëshirës dhe luftës zhduket. Nuk është më e qartë kush pushton dhe kush dorëzohet. Pastaj qeshin. Ose heshtin. Në ato çaste më duket sikur kanë prekur diçka që nuk mund të thuhet pa u thyer.

Sa më gjatë flasin, aq më shumë më duket se biseda e tyre nuk ka nisur atë natë. Sikur të kishte mbetur e papërfunduar që
nga një kohë kur nuk ekzistonin as nata, as dita, as lindja, as vdekja. Ndoshta ishin bashkë para se bota të ndahej në të kundërta. Ndoshta bota lindi nga ajo ndarje, para se të lindnin e Mira dhe e Keqja. Ishin dy forca skajshmërisht të ndryshme. Nuk kishte si të ishin bashkë. Ishte e pamundur. E megjithatë, ishin bashkë.

Sepse, kur u dhanë emrat, njëra u quajt e Mira dhe tjetra e Keqja. Por çfarë do të ishte njëra pa tjetrën? Nëse e Mira nuk do
të kishte asgjë me të cilën të matej për t’u quajtur e mirë, a do të ishte ende e mirë? Dhe nëse e Keqja nuk do të kishte më asgjë për t’iu kundërvënë, a do të ishte ende e keqe? Secila e mban emrin e vet në hijen e tjetrës.

Ndoshta nuk janë dy anë të botës. Ndoshta janë vetë çarja përmes së cilës bota u bë e dukshme. Por ku banojnë atëherë? Në
planetin tonë, apo janë vetëm turistë këtu? Në shpirtin dhe mendjen e njeriut? Apo në ndonjë planet tjetër, të cilit ne nuk ia dimë emrin? Po e Vërteta, ku banon? Jashtë tyre? Apo lindi në çastin kur ata u ndanë? Ndoshta e Vërteta nuk i përket as të Mirës, as të Keqes. Ndoshta banon në atë hapësirë të ngushtë ku të dyja humbin sigurinë se kush janë.

Një natë i pashë në një restorant luksoz. Ishin ulur përballë njëri-tjetrit, nën dritën e zbutur të llambadarëve. Tavolina ishte shtruar për tre veta, por aty ishin vetëm dy. Mes tyre qëndronin gotat e kristalta, të mbushura me verë të kuqe. Pjatat ishin të paprekura. Flisnin me zë të ulët. Këtë herë nuk ishin histerikë. Kjo ishte shumë më e frikshme.

Foli e Keqja. E Mira dëgjoi. Mbi tavolinë po negocionin diçka që ngjante me një marrëveshje. E Mira duhej të heshtte. E Vërteta duhej t’i lihej turmës, se pambrojtur. Drejtësia duhej të priste. Edhe pak. Edhe pak më gjatë.

E Keqja fliste qetë, pothuajse butë. E Mira tundte kokën herë pas here. Për një çast nuk dukeshin si armiq. Dukeshin si dy qenie që e dinin se dikur kishin ndarë të njëjtin sekret. Më në fund, e Keqja u ngrit. E Mira e ndoqi. Vendi i tretë mbeti ende i paprekur. Karrigia e së Vërtetës. Dhe askush nuk e kishte vënë re.

Ndoshta e Keqja nuk ka nevojë gjithmonë ta mposhtë të Mirën. Ndonjëherë mjafton ta bindë të heshtë. Por heshtja nuk zgjati. Diku përtej asaj dhome, diçka u ça. E Keqja thirri Drejtësinë me një britmë të egër, sikur të donte të plagoste vetë rendin e botës. E Mira iu kthye së Vërtetës dhe e mbështolli me një butësi të pafajshme, sikur përpiqej ta mbronte nga ajo që po ndodhte.

Zërat u ulën. Britmat, të qeshurat, të qarat u ndalën. Qielli e ndryshoi ngjyrën; nuk ishte më i kaltër. Toka humbi boshtin e saj. Yjet dolën nga udhët e tyre. Dhe për një çast gjithçka u mjegullua. Jo sepse e Mira dhe e Keqja u bënë një, por sepse kufiri mes tyre u bë aq i hollë, sa asnjëra nuk mund të thoshte më se ku mbaronte njëra dhe ku fillonte tjetra.

Pastaj u larguan nga njëri-tjetri. Njëra në një drejtim. Tjetra në drejtimin e kundërt. Për të mos u parë më kurrë. Gjithçka humbi formën. Nuk kishte më kohë. Asnjë kufi nuk mbeti mes ëndrrës dhe asaj që quhej realitet. Bota ra në heshtje.

E Keqja mund të mbajë fytyrën e së Mirës, të flasë me gjuhën e saj, të marrë hua dritën e saj dhe të mbajë në duar fjalët tek të cilat njerëzit kanë besuar se janë shpëtimi. E Keqja që shfaqet si e keqe mund të njihet. Por kur vjen e veshur si e Mira, bëhet shumë më e vështirë të dallohet.

Edhe e Mira e ka humnerën e saj. Kur kalon kufirin e vet dhe nuk pranon më asnjë kundërshtim, drita mund të bëhet aq e fortë sa të të verbojë. Atëherë nuk ndriçon më.

Në një botë të lodhur nga errësira, çdo gjë që shkëlqen mund të kuptohet si shpëtim. Për këtë, ndoshta e Vërteta qëndron gjithmonë pak më larg. Ajo nuk premton as dritë, as errësirë. Qëndron diku në mes, pa një emër të përcaktuar. Në momentin kur përpiqesh ta mbash në duar, ajo ndryshon formë.

Kur mjegulla u shpërnda përsëri, ata ishin larg njëri-tjetrit. Njëri mbi kalin e bardhë, e tjetri mbi kalin e zi. Askush nuk e dinte nëse dhia ishte dëshmitare e ndarjes së tyre apo ishte e vetmja krijesë që e dinte se ku po shkonin.

Ata nuk shikonin prapa. Nuk donin të ktheheshin. Asnjëri nuk bëri përpjekje ta ndalte tjetrin. Vazhdonin në drejtime të kundërta, sikur secili të kishte marrë me vete gjysmën e një kujtese që tjetri nuk mund ta kujtonte më.

U ndanë. Në atë çast u zgjova. Isha bërë qull në djersë. Nuk e di sa ishte ora – diku mes tetës dhe nëntës. U ngrita nga krevati, eca drejt dritares dhe shikova jashtë. Në mes të oborrit, dhia që kisha parë në ëndërr po kulloste e qetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

A ndihmon krijimtaria në zbulimin e potencialeve të fshehura?