reklamë

Visar Zhiti: Në burgun e Qafë-Barit u njoha me Sherif Merdanin dhe u bëmë miq të ferrit

Këndon Sherif Merdani

Nga Visar Zhiti

Princi i këngës së muzikës së lehtë shqiptare, Sherif Merdani… – kështu shkruaja para 5 vjetësh, në ditën kur iku në Qiell dhe la zërin e tij të bukur për të gjithë.
Këndon Sherif Merdani.
I dashur për të rinjtë e kohës së tij, për ata që u zbardhën bashkë me të, zë gjeneratash, që donin të ëndërronin, kur ishte e ndaluar, zëri i dashurisë së tyre, që solli Europën dhe…
Nuk po këndonte më Sherif Merdani… e burgosën, prandaj… u goditën artet, muzika, poezia, piktura… liberalizëm… politika në plan të parë… socializmi…
Në burgun e Qafë-Barit u njoha me Sherifin dhe u bëmë miq të ferrit. Dhe aty këndonte, fshehurazi, vetëm për miqtë e ngushtë, me zë të ulët, anglisht më shumë, këngën që krijoi aty: “When I am dead, my dear”…

Dhe unë shkruajta një poezi, kushtuar atij, fshehurazi, ia dhashë ta lexonte, diku fshehurazi dhe ai… erdhi pas pak në dhomën ku isha e mes të burgosurve të tjerë, me sytë plot me lotë, më tha se i kishte pëlqyer shumë, shumë, nuk e mendonte “t’i thureshin ato fjalë…”.
Do t’i tregoja këto në burgologjinë time “Ferri i çarë”, do ta kisha persoazh, jeta e tij ishte tronditëse, që në fëmini, kur shkonte në burgun e Korçës me të vëllanë e vogël në krah, bebe, ia çonte s’ëmës, që e kishin arrestuar, t’i jepte gji në qeli, etj, etj.
Pastaj erdhi kohë tjetër, prapë: “Këndon Sherif Merdani”, tashmë me kokën e bardhë si borë që nuk shkundej nga flokët më…
Takoheshim…. Kujtonim takimin tonë me këngëtarin e famshëm italian, Riccardo Cocciante, të cilin e kisha ftuar në Tiranë në emër të Ministrisë së Kulturës në Tiranë… lajmërova dhe mikun tim, Sherifin, biseduam të tre. Këngëtari italian u trondit që një koleg i tij shqiptar ishte dënuar prej këngëve, edhe ato italiane, dhe prej të tijave… cilën? Pse, pse?? Nga që këndonte këngë të vendeve kapitaliste(?!)… Margherita… mbase… një keqardhje e madhe si ndjesë…

Këndon Sherifi Merdani… këngët që deshi, të popullit të tij dhe nga bota. Dhe aty ku kënga ka gezimin, ai e pëzjeu me dhimbjet e jetës në zë, si askush tjetër, praruar me kumbime shprese, në fund të fundit ai me këngën theu pranga…
Punuam bashkë dhe në diplomaci, e pabesueshme! E i gezohej si fëmijë lirisë, skenës, suksesit serish, harronte vuajtjen…
Sherifi endet tani në skenat qiellore, në parajsë, në paqen e tij plot yje, por në vendin e tij ka lënë zerin me një si eko tempujsh, me atë protestën e mirë të muzikës, që del nga frengjitë e brinjve, – frymë jona nga saksofonë të fatit.

Sherifi këndoi kur ishte e vështirë, fort bukur – me ngazëllime e mallëngjime bashkë dhe mbetet zëri më kuptimplotë i dy kohëve, që s’vdes, por tretet me erërat e jetës, – kështu kam shkruar.

…Herë pas herë shihte në gazetë pjesët për të nga burgologjia ime dhe emocionohej, ja, ashtu si herën e parë, më telefononte, por poezinë e tij nuk e pa në libër, i kisha thënë se do të dilte nga “Shtëpia Botuese Onufri” me të gjitha ç’kisha shkruar në burg, anastatikisht, siç e kishte lexuar fshehurazi brenda telave me gjemba në ferr. Atë vit që u botuan “Dorëshkrimet e fshehta…”, ai iku…
Mbase i merr era ato fletë dhe ia çon në Qiell…

ObserverKult


Lexo edhe:

Buqetë poetike nga Visar Zhiti: Si shkohet në Kosovë, tregomë!