
Mëngjeset plot dritë
më zgjojnë me mallin për ty,
dua kafenë ta pi
nga filxhani yt,
ta ndiej aromën
që mbetet në buzët e tua.
Dua të shijoj
një pikë dashurie
në rrugën e kujtimit,
aty ku hapat tanë
ende flasin me heshtjen.
Të pimë ujë kristal
te kroi i burimit,
të freskojmë buzët
me ëndrrat e dikurshme
dhe të mos pyesim
ku na çon rruga.
Një letër ta nisa
me plot dëshirë,
me një puthje të lehtë
mbi fjalët e mia,
që të të prekë në shpirt
para se të të zërë gjumi.
Fli i qetë,
e nëse më sheh në ëndërr,
mos u zgjo…
më lër të rri pak
pranë teje.
ObserverKult






