Alban Bala: Kam zgjedhur të të dua në mënyrën time

Poezi nga Alban Bala

Kam zgjedhur të të dua në mënyrën time
Si njeriu që kërkon veten në një foto të vjetër
Ku nuk ka dalë kurrë.
Në mënyrën time ku ende heshtja shkruhet
Si një kujtesë dy herë më e çmuar.

Kam zgjedhur të fitoj ndoshta duke humbur
Të jetoj bukur, të vdes bukur, të mendoj
Gjithnjë e më bukur,
Ashtu siç bëjnë të lumturit.

Kam zgjedhur të këndoj me dy zëra, të ulem
Mbi dritën e çdo kujtimi siç ulet një flutur
Mbi trëndafilat në shkurt,
E kam kaq lehtë të besoj të pamundurën
Të pres ëndrrat të çelin si në maj shpërthejnë lulet.

Kam vendosur të shuhem si një jehonë ujrash
Që i dëgjon veç era kur vizaton muzgun
Dhe do të shkoj i lumtur siç jetojnë të lumturit
Atje ku flitet bukur…

Kam zgjedhur të të dua në mënyrën time
Ku ti s’mungon kurrë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBAN BALA: TË KAM DASHUR GJITHMONË…

Të kam dashur gjithmonë, prej çastit të parë
kur fshive cepin e syrit me një gisht drite,
kur pashë, fytyrën time që rridhte në një lot ngjyrë shiu
drejt gjirit tënd të bardhë
përmbi lulen e buzëve të hapura…

Të kam dashur gjithmonë, prej atij çasti,
krejt vjeshtat e mia vallëzojnë mbi gjoksin tënd,
si fëmijë që po mësojnë të ecin kapur pas shikimit të nënës.

Të kam dashur gjithmonë, prej çastit të parë
kur në tokën e pëllëmbës sate mbolla prekjen
dhe gishtat e mi çelën sythe të ajërt
trupi im u mbush me pranverë,
si qielli në mars me zogj të largët…

Të kam dashur gjithmonë, e kam ditur se je,
kam shfletuar fytyra dhe njerëz duke të kërkuar
si një emër që do të më fliste me zë – sa ta gjeja;
me brinjët e mia kam shpupluar zjarre të huaj.

Të kam pritur me padurimin e fëmijës dhe me drojën
se vdekja ekziston veç për ata që nuk gjehen…

Të kam dashur gjithmonë, edhe kur nuk e dija
se njeriun nuk e dallojnë dot sytë, por zemra…

ObserverKult