
Në kutinë postare pranë portës,
prej kohësh
nuk troket më, letër.
Ajo ka mbetur
si një zemër metalike,
me gojën hapur nga pritja,
duke e gëlltitur shiun
dhe heshtjen e mbrëmjeve.
Dikur priste zarfe;
fjalë të palosura në katërsh,
mall të mbyllur me pulla,
emra që vinin nga larg
për të ma kujtuar,
se dikush më kishte në mendje.
Derisa, një mëngjes,
erdhi një dallëndyshe,
si një copë qielli e këputur,
me pranverën në krahë,
dhe një fije bari në sqep.
Kutinë nuk e pa si unë.
Unë pashë një vend,
ku s’erdhi askush.
Ajo pa një vend,
ku mund të linte diçka.
Aty, nën strehëzën time,
e ndërtoi folenë
me durimin e një nëne,
pa pasur frikë të fillojë
edhe në një vend të braktisur.
Që atëherë,
çdo mëngjes
ajo më sillte një letër
që nuk ishte letër;
një cicërimë në vend të fjalëve,
një fluturim
në vend të përshëndetjes,
një ve të vogël
në vend të shpresës së shkruar.
Kuptova se ndoshta letrat që prisja
nuk kishin humbur rrugës.
Ndoshta ishin kthyer në krahë,
ndoshta dikush,
ma kishte dërguar dallëndyshen
për të më thënë:
“Mos e mat boshllëkun!
Shiko çfarë zgjodhi të vijë”.
Tani kutia postare
nuk më duket më e zbrazët.
Mbi të rreh një fole,
si një zemër
që mëson të mos dorëzohet.
Dhe sa herë dallëndyshja
ngritet në fluturim,
më duket sikur i merr me vete
të gjitha të pathënat
dhe kur kthehet,
sjell në sqep
një përgjigje të re.
Jeta nuk shkruan gjithmonë me bojë.
Ndonjëherë të shkruan me krahë.
ObserverKult
Lexo edhe:






