reklamë

Libri i Donika Dabishevcit “E gjithkohshmja Andërr”, botohet në gjuhën malazeze

Libri “E gjithkohshmja Andërr” i poetes dhe studiueses Donika Dabishevci, konceptuar nga autorja si një rekuiem poetik kushtuar viktimave të luftës është botuar në gjuhën malazeze me titullin “Svevremeni san”.

Libri është përkthyer nga Nikollë Berishajt, ndërsa botimi është realizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi (CEKUM), në Podgoricë.

Recensentë të librit janë akademiku Pavle Goranović dhe Nikollë Berishaj. Goranović është njëherësh autor i parathënies, ndërsa dizajni dhe kopertina mbajnë emrin e Adela Zejnilović.

Libri sjell në qendër të vëmendjes përjetimet e civilëve, dhimbjen dhe kujtesën e luftës në Kosovë. Përmes përkthimit, kjo dëshmi poetike mbërrin tashmë te lexuesi malazez, duke nisur, siç shprehet Dabishevci, “një jetë të re” në një tjetër hapësirë gjuhësore dhe kulturore.

“E gjithkohshmja Andërr”, botuar në shqip nga Littera, u vlerësua me Çmimin për veprën më të mirë në poezi në Panairin e Librit në Prishtinë më 2024. Në motivacionin e çmimit theksohej:

“Për memorizimin poetik të luftës në Kosovë dhe krijimin e dëshmisë artistike që kthehet në testament letrar. Poezia e këtij libri shpalos mikroperspektivën e historisë së luftës 1998-99, amplifikon zërin e viktimave civile, siç amplifikon edhe zërin e njeriut në zgrip të ekzistencës pas vitit 1999, si një thirrje për të kujtuar dhe një thirrje për të mos harruar”.

Botimi i “Svevremeni san” zgjeron praninë e poezisë bashkëkohore shqipe në hapësirën letrare malazeze dhe i jep kujtesës së përcjellë në vargjet e Dabishevcit një tjetër gjuhë komunikimi me lexuesin.

ObserverKult