reklamë

Tri poezi nga Ardiana Thaçi: E premte, e shtunë, e diel…

Ju ftojmë t’i lexoni tri poezi nga autorja, Ardiana Thaçi:

E premte

Ndonjëherë humbem në klithmat e ditës,

shtyp pedalen e gazit.
Bori automjetesh të mbytura në heshtje.


Këputet lidhja,
macja ecën ngadalë,

jam në makinën e kohës.

Dritë e kuqe!
Vështroj përtej

një porte magnetike,
shoh numra,

tabela dhe një “z” si hije…

Ngutem,
frenoj.

Do të kap diçka,

dikë duhet ta takoj.

Çdo gjë ngrihet.

Ec ngadalë,

e kuqja humbet,
jeshilja ndizet,

ai fshin xhamat me

shishen e vjetër.

Jam në rrugë dhe ngutem…

Ngutem për të
humbur në klithmat e ditës.
Shoh përtej grilave.

Numrat zhduken.

Për dreq, ka ikur.

S’ka frymë, s’ndihet asgjë,
as nga
dritarja e plasaritur.

Koha ndalon.
Frenoj.
Macja mbi xham
dha frymën e fundit.

E shtunë

Edhe tri cigare kanë mbetë.
Akrepat ecin.
Nuk e di kah po ngutën.
Asht natë, e askush s’ka me ardhë.

Ckrrap.
Shkrepësja ndizet.
Për nji çast, dhoma ka diell.
Pastaj prapë terr.

Cigarja e parë.

Tymi ngjitet kah tavani,
si me pasë dikë atje që po e pret.

Gypat e ujit fërshëllejnë mureve.
Jashtë,
qentë hungërijnë
kah diçka që unë s’e shoh.
E çeli xhamin.
Hana asht zbehë.

Diku përtej,
atje ku deti e harron emnin e vet,
dikush qesh…

Pastaj nji puthje.
Hana i mbyll sytë, por deti jo.

Valët u çuen peshë e u përplasën për shkambij,
e horizonti, i çmendun, u shkëput prej tokës

Diku, gotat e venës rrëzohen.
Dikush vazhdon me qeshë.

Cigarja e dytë m’ka sosë ndër gishta.
Veç tash e vërej që po më djegin.

E shtunja i vesh pizhamet.
Nuk e pyet hanën çka ka pa.
Ia lshon rrugën diellit.
E unë e ndez të tretën.

E diel

E diel sot.
Shiu paska la tokën gjithë natën,
e bashkë me të,
edhe rrobat e bardha në tel.

Kam fjetë aq shumë,
sa trupi refuzon me u çue.

Era e kafesë e ka pushtue krejt banesën.
Kaq qetë s’ka qenë kurrë.

Kafe s’ka mbetë më në xhezve,
veç është derdhë në plloçën e plasaritun te shporeti.
Për dreq,
edhe një punë ma shumë sot.

E mbylli dritaren, ballkonin,
pi pak ujë dhe bi me fjetë…

Tërmet.

Toka çahet nën kambët e mia.
Gjithçka dridhet.
Unë, e humbun mes dridhjeve,
i kërkoj djemtë.

S’i kam afër.
E gjej ma të voglin.
Vrapoj për tjetrin.

Toka dridhet,
muret lëkunden,
por unë jo, jam nana.

Nanë, çohu, se kam nevojë për ty!
Më thërret Rrapi.

Zgjohem.

Mesdita kishte ardh…
Ishte andërr.

ObserverKult


Lexo edhe:

Jorge Luis Borges për shkrimtarin dhe lexuesin