
Muzeu Historik Kombëtar, një prej institucioneve më të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit kombëtar shqiptar duhet të mbrohet dhe jo të sulmohet.
Ky është apeli i drejtoreshës së Muzeut Historik Kombëtar, Elenita Roshi, e cila në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), theksoi rëndësinë e veçantë që ky institucion mbart për kombin dhe historinë shqiptare.
Apeli vjen pas disa përpjekjeve nga ana e protestuesve për të goditur mjediset e këtij institucioni.
Ndërkaq, në apelin e saj, drejtoresha Roshi theksoi se muzeu është një dëshmitar i periudhave të vështira të historisë, por edhe i momenteve të krenarisë kombëtare, duke ruajtur gjurmët e ngjarjeve dhe figurave që kanë shënuar ndër shekuj identitetin e popullit shqiptar.
Ajo vuri në dukje se mbrojtja, ruajtja dhe vlerësimi i këtij institucioni janë thelbësore jo vetëm për të respektuar të kaluarën, por edhe për të përcjellë te brezat e ardhshëm vlerat historike, kulturore dhe identitare që ai mbart.
“Po aq sa kemi të drejtë të shpresojmë e të luftojmë për një Shqipëri më të mirë, po aq edhe duhet të kemi në mend se të parët tanë e kanë mbështetur shpresën e tyre mbi një histori që duhet të shprehet, kuptohet dhe lexohet diku, pikërisht në këtë godinë e cila duhet ruajtur”, u shpreh Elenita Roshi për ATSH-në.
Përtej funksionit të tij si hapësirë ekspozimi, muzeu përbën një institucion të kujtesës sonë kolektive dhe që ndihmon në njohjen dhe në kuptimin e proceseve historike. Në prag të 45-vjetorit, Muzeu Historik Kombëtar mbetet një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë historike shqiptare dhe i përgjegjësisë për ta ruajtur atë si pjesë të identitetit kombëtar, duke e bërë historinë të njohur dhe të kuptueshme për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Muzeu Historik Kombëtar është në prag të 45-vjetorit të krijimit të tij. I përuruar më 28 tetor 1981, muzeu përfaqëson një pikë referimi për historinë e Shqipërisë, duke sjellë përmes pavijoneve, objekteve dhe dokumenteve dëshmi të rëndësishme të rrugëtimit historik të vendit./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:
“Vjeshta letrare e Gjilanit 2026” sjell nëntë evente kulturore kushtuar autorëve dhe librave






