
Në kuadër të Tetorit – Muajit të Letërsisë dhe Arteve në Deçan, u promovua libri me poezi “Grue prej zjermi” i poetes Donika Dabishevci. Takimi mblodhi shkrimtarë, studiues, nxënës dhe dashamirës të letërsisë, ndërsa ndërthuri vështrimet kritike mbi krijimtarinë e autores me interpretimin e poezive të saj.
Takimi u moderua nga poetja Ajne Ibërhysaj, ndërsa për librin dhe veprën letrare të Dabishevcit folën studiuesi e shkrimtari Gëzim Aliu dhe shkrimtarët Ramë Oraca e Shefqet Dibrani. Aliu paraqiti një analizë krahasuese të krijimtarisë së autores, ndërsa Oraca dhe Dibrani sollën recensionet e tyre për veprën e promovuar.
Pjesë e programit ishin edhe nxënësit e Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, të përgatitur nga profesoresha Ajnishahe Kuqi Lokaj. Përmes deklamimit të poezive nga libri, ata sollën para të pranishmëve vargjet e Dabishevcit, duke i dhënë takimit edhe dimensionin e interpretimit artistik.
Në promovim mori pjesë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili vlerësoi takimin e autores me përfaqësues të jetës letrare e kulturore dhe me të rinjtë, duke theksuar rëndësinë e hapësirës që i kushtohet fjalës së shkruar dhe krijimtarisë në Deçan.
Autorja Donika Dabishevci shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe për të gjithë kontribuuesit në realizimin e promovimit, dhe pas një fjale rasti lexoi edhe disa poezi të saja.
Ibërhysaj, nga ana e saj, shprehu mirënjohjen për autoren, recensuesit, nxënësit, drejtuesit e gjimnazit dhe profesoreshën Kuqi Lokaj për bashkëpunimin dhe kontributin në program.
Në përmbyllje të aktivitetit u ndanë edhe certifikata të Ambasadorëve të Paqes, në shenjë vlerësimi për kontribute në fusha të ndryshme, përfshirë artin, kulturën, ekonominë dhe arkitekturën.
ObserverKult






