
Ju ftojmë t’i lexoni tri poezi nga Ismail Syla:
MBRETËRIA E PAKUFISHME E SHPIRTIT
Natyra e goditi njeriun me gjithçka që pati:
ia suli stuhitë, acarin, terrin madje dhe urinë.
E ka shtypur e kafshuar, e ka lënë pa strehë,
por në fund, mbet gjallë, shtrirë mbi gurinë.
Njeriu qe përherë aty, i plagosur, i vjetruar,
me frymën e paprekur e kokë të ndritshme…
ngase m’u ku mbaron kufiri i natyrës së egër
aty e fillon shpirti mbretërinë e pakufishme.
FSHEHJA E NXEHTËSISË NË SHUPLAKA
Kur e gjithë bota është një copë e akullit,
kur era ia prridhë frymën para se ta ngrijë
njeriu i bashkon ngadalë të dy shuplakat
dhe bën një shtëpi të vogël me lëkurën e tij.
Mbyll brenda saj të fundit frymë të ngrohtë,
kështu me një gjest të thjeshtë shpëton jetën…
e thotë: burimi i shpëtimit nuk vjen nga larg
është aty pranë: te bashkim i vetes me veten.
PËRBALLË PASQYRËS
Ajo nuk ta falë asnjë rrudhë të dështimit,
dhe as fjalët e bukura që ia ke thurë botës,
nuk i pranon arsyet për netët e humbura,
e brenda të digjet ndërgjegjja prej drojës.
T’i nxjerr në shesh gjithë armët që fshehe
dhe fytyrën e maskës ta bën të qasshme:
Më mirë ta vrasësh veten me të vërtetën,
sesa të jetosh në gënjeshtër të rehatshme.
Kizharekë, 2 nëntor 2026
ObserverKult
Lexo edhe:






