“Nyja Gordiane”, është një term i përdorur zakonisht për të përshkruar një problem kompleks dhe të pazgjidhshëm. Mund të ketë zanafillën që nga periudha e Aleksandrit të Madh.
Nga Albert Vataj
Sipas legjendës, Phrygian-ët, që jetonin në Turqinë qendrore (të sotme), ishin sugjeruar nga orakulli që të bënin mbret njeriun e parë që do të shkonte në qytet me një qerre. Siç e donte fati, ky burrë ishte Gordius, një fshatar i varfër. Pas kurorëzimit, Gordiusi ia dedikoi qerren Zeusit. E lidhi në një shtyllë jashtë tempullit me lëvore thane që forcohej me kohën. Thuhej që kushdo që zgjidhte nyjën do të pushtonte Azinë.
Në vitin 333, pushtuesi maqedonas, Aleksandri i Madh, marshoi me ushtrinë e tij në kryeqytetin Phrygian të Gordium, Turqia e ditëve të sotme. Me të arritur në qytet, ai gjeti qerren e lashtë të lidhur me disa nyje. Sipas një historiani romak ishin të lidhura aq fort dhe në mënyrë aq të ngatërruar sa ishte e pamundur të zgjidheshin.
Kronistii i lashtë Arrian thotë se, Aleksandrit të fuqishëm i lindi dëshira e zjarrtë për të zgjidhur nyjen gordiane. Pasi u mundua për një kohë me nyjen, ai nuk pati sukses, dhe duke u kthyer nga turma tha: “Nuk ka asnjë ndryshim mënyra se si duhet të zgjidhet”.
Nxori shpatën duke e bërë copash nyjen me një goditje të vetme.
Në një version tjetër, ai ëpërmjet një gjilpërë arriti të zgjidhte nyjen. Gjithsesi, çdo lloj mënyrë që zgjodhi, mbreti i ri u duartrokit si njeriu që zgjodhi kuizin e lashtë.
Në të njëjtën natë, Gordiumi u godit nga një rrufe. Aleksandri dhe njerëzit e tij e morën si një shenjë se ai i kishte kënaqur Zotat. Në përmbushje të profecisë, ai shkoi për të pushtuar Egjiptin dhe sipërfaqe të mëdha të Azisë para vdekjes së tij në moshën 32-vjeçare.
Falë popullaritetit të qëndrueshëm të Aleksandrit, shprehja “nyjë gordiane” ka hyrë në fjalor për të treguar pengesat e ndërlikuara, apo kokëfortësinë.
Gjithashtu, thënie “prerja e nyjes Gordiane” tashmë përdoret zakonisht edhe për të përshkruar një zgjidhje kreative apo vendimtare për një problem në dukje të pakapërcyeshëm.
ObserverKult
—————————————–
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE: TI IKE UDHËS SË PAFUNDME…
Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën, fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me veten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut.
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë, e di, do të më ngelet
I ftohtë medalioni i hënës.
ObserverKult
Lexo edhe:
TRI POEZI TË ZGJEDHURA NGA MIGJENI
VJESHTA NË PARAKALIM
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona,
Dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme,
Dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme,
Nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
Si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.
Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun në mjegull përpise.
Pemët degët e lagun, me vaj i mshtjellin në lutje, por kot!
E dinë, të fikun, se nesër do vdesin…
Vall, a ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra,
N’orën e vorresës, kur heshtin damaret,
E vorri inaltohet nën qiella ma t’epra,
Me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.
Ciklin mund ta lexoni duke klikuar KETU
ObserverKult