Adem Gashi: Ke ikur tashmë…

adem gashi antologji atdhedashuri

Poezi nga Adem Gashi

Ke ikur tashmë, ke ikur qëkur
Të mos bëj skandal s’të drejtohem me emër,
Veçse si vragat a si tatu në lëkurë
Doemos diçka ka mbetur në zemër.

Hamendjet zgjohen padashur për ty,
Qoftë edhe kur të thërras me përemër,
Personazhet e pretenduara perëndojnë në sy:
Është grua kjo a shemër?

Portretin tënd të vagëlluar
Që më vjen netëve si një foto e vjetër,
Bëj të ta ledhatoj më duar
Dhe në çast më shfaqet një figurë tjetër.

E pamundur. S’rikthehet gjë përsëdyti,
Sado me mollët e gishtërinjve prek but,
Një gjeratore ankthi sa s’më mbyti
Dhe… dhe… (oh!) lirika se ç’u këput!

Tashti më mbush me mllef e maraz
Dhe më vjen e fajshme vetë shfaqja e ditës,
Diçka mori ters a vajti çapraz,
Qe këputur ëndërr e Orfeut a Euridikës?

*Titulli i origjinalit: Lirikë e papërfunduar

ObserverKult

================================

Lexo edhe:

MKRS SHPALL FITUESIT- ADEM GASHIT I JEPET ÇMIMI PËR VEPËR JETËSORE

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka organizuar sot ceremoninë për laureatët e çmimeve vjetore në fushën e letërsisë.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dhënë Adem Gashit Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, ndërsa Çmimin për Veprën më të Mirë në Prozë “Anton Pashku” Mehmet Krajës për romanin “Liria ime”.

Për veprën më të Mirë në Poezi “Ali Podrimja” çmimi i është dhënë poetit Xhevdet Bajrajt për librin “Burri që lozte me engjëjt”.

Çmimi për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë “Ibrahim Rugova” Blerina Rogova-Gaxhës për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”.

Për veprën më të Mirë të Përkthyer në Gjuhën Shqipe “Pjetër Bogdani” çmimi iu dha përkthyesit Col Mehmetaj për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit.

Çmimi për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe të Rinj “Vehbi Kikaj” shkrimtarit Shaip Grabovci për dramën për fëmijë “Zëra nga vitrina”.