Adem Gashi: Puçërr politike

adem gashi antologji atdhedashuri

Ndërtesa e lartë e qeverisë
lartësohet sa mandati i saj
në strukturën e leshtë të shtetit
me xhepa shumë.

Që andej me sy e mërzi perëndish
në perspektivë zogu
Ata, shohin thnegla përposh.

Këta, që jemi Ne,
në perspektivë bretkose
shohim pasqyrim shtëllungash të reve
në një qiell të xhamtë reflektimi.

Në luftën e pashpallur
mes tyre e shkrimtarëve që s’blihen as shiten
gëlojnë motivet e pabëra dramë,
Më kot
pret skena e Teatrit Kombëtar
matanë.

Një kokërr vote
s’është veçse një puçërr politike
në teorinë e demokracisë.